Intervistë me Jeton Rukovcin: Futsalli në Kosovë po ec mirë, jam i lumtur që tani luaj në një kampionat më të fortë - NACIONALE

Intervistë me Jeton Rukovcin: Futsalli në Kosovë po ec mirë, jam i lumtur që tani luaj në një kampionat më të fortë

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kapiteni i Kosovës në Futsall, Jeton Rukofci, tashmë lojtari i gjigantit çek Sparta Prague në një intervistë për Gazetën Nacionale ka treguar për vështirësitë e të luajturit futsall në Kosovë, se çka nevojitet ende për promovimin e këtij sporti, këshilla për të rinjtë që dëshirojnë të merren me këtë sport si dhe për kalimin e tij në një kampionat më të fortë siç është ajo e Çekisë.

Rukovci vitet e fundit luajti për skuadrën e kryeqytetit, Mabetex Prishtina, ku edhe vitin e fundit arriti të fitojë Kupën e Kosovës si dhe u shpall lojtari më i mirë në Kosovë në sportin e futsallit. Ky ishte çmimi i dytë si lojtari më i mirë pasi që edhe në vitin 2014 me skuadrën e Besës së Pejës ishte stolisur njëherë.

May be an image of 1 person, standing and indoor

I pyetur se si nisi gjithçka për të në futsall, Jetoni tha se fillimisht gjithçka nisi si hobi dhe se dëshira e tij ishte të bëhej futbollist profesionist por që për disa rrethana personale e la futbollin e madh për t’u kyçur në futsall.

“Futsallin fillimisht e kam filluar si hobi edhe pse dëshira ime ka qenë të bëhem futbollist profesionist, por për shkak të disa rrethanave u detyrova ta lë futbollin dhe u kyça në sportin e futsallit.”

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që sporti në Kosovë nuk e ka pasur zhvillimin e duhur për këto vite dhe kjo nuk vlen vetëm për futbollin apo sportet e mëdha të tjera, por sipas Rukovcit tani gjithçka është më mirë dhe se investimet janë duke ardhur tani, por që ende nevojitet një vetëdijesim më i madh në promovimin e sporteve në mënyrë të veçantë futsalli që paksa është i lënë pas dore e gjithashtu duhet të zhvillohen kuadrot për trajnerë të rinj.

“Në përgjithësi e dimë që të jesh sportist në Kosove ka qenë shumë e vështirë, por mendoj se vitet e fundit kanë filluar të përmirësohen gjërat si nga ana infrastrukturore po ashtu edhe financiare. Në sportin e futsallit infrastrukturën e kemi mjaftueshëm të zhvilluar pasi që ne çdo qytet të vendit i kemi sallat sportive. Problemi kryesor do të thosha që është ana financiare dhe zhvillimi e ngritja e nivelit të lojës së futsallit, si psh. shkollimi i trajnerëve të rijnë dhe promovimi më i madh medial i këtij sporti atraktiv dhe shumë i dashur tek ne.”

Pavarësisht se në vitet e fundit ka një interesim më të madh për sportin në përgjithësi nga bizneset vendore, kjo gjendje nuk ishte gjithmonë dhe se edhe lojtarët profesionist detyroheshin të punonin punë të dytë për t’ia dalur, por si është tani na tregon kapiteni i Kosovës në futsall.

“Po në fillim ka qenë shume e vështire, e fillova si hobi sepse kisha një punë tjetër që beja si primare. Pastaj u ngritën investimet në disa klube si dhe niveli i organizimit të ligës u rrit. Kështu që futsalli mu bë primare por në periudha të ndryshme bëja edhe një punë të dytë. Vështirësitë e tjera kanë qenë kryesisht rreth lëndimeve here pas here.”

May be an image of 2 people and people playing sports

Për të arritur në majat e këtij sporti siç ka arritur Jetoni, duhet disiplinë dhe punë, por a e rekomandon te të rinjtë këtë sport ai?

“Disiplina e lartë dhe puna kanë ndikuar që ta rrisë nivelin e lojës dhe të arrijë sukseset e tanishme. Do t’ua rekomandoja sidomos fëmijëve në moshë të re që të merren me futsall pasi që kjo lojë i ndihmon që të zotërojnë teknikën me topin dhe zhvillimin e lojës në hapësira më të ngushta.”

Së fundi Jeton Rukovci është transferuar te gjiganti çek, Sparta Praha, pasi që paraqitjet e tij të mira ranë në sytë e tyre, por sa është i kënaqur me këtë kalim?

“Jam i lumtur me transferimin në Sparta Praha, gjithmonë ka qenë dëshira ime të luajë në një kampionat evropian më të fortë. Sparta është klub i njohur në futsallin çek dhe evropian me një organizim shumë të lartë ku kanë luajtur edhe top lojtarë botërorë. Shpresoj që të kem një sezon të suksesshme pastaj të shohim tutje.”

Në skuadrën e re ku do të paraqitet Jetoni, trajner është kosovari Beni Simitçiu, i cili është edhe trajneri i Kombëtares së Kosovës, por sa ka pasur ndikim ai në kalimin e tij atje, dhe a ka pasur oferta të tjera?

“Me trajnerin Beni Simitçiu njihemi qysh moti në fillimet e mija me futsallin. Kemi qenë të afërt në aspektin profesional dhe kemi qenë në kontakt vazhdimisht. Ka qenë dëshira e përbashkët që të punojmë bashkë një dite por për disa arsye të mija personale nuk po ndodhte. Dmth Beni ka luajtur rol kyç ne këtë transferim, dhe e falënderoj për vlerësimin që ka pasur gjithmonë për mua. Kisha dhe oferta të tjera nga Kosova dhe jashtë saj, por vendosa për Spartën pa u menduar shumë.”

No photo description available.

Për fund, Jetoni na tregon për synimet e tij me skuadrën e re dhe pritjet që ka ai për sezonin që po vjen.

“Sigurisht synimet e mija janë që të jap më të mirën për klubin dhe të arrijmë fazën finale të kampionatit, të provojmë shanset tona për titullin e kampionit të ligës e cila do të na mundësonte të garonim në Ligën e Kampionëve të futsallit. Gjithashtu synim jonë është edhe trofeu i kupës së ligës.”

Lajme të ngjashme