A po shuhet klubi i futsallit Mabetex Prishtina? - NACIONALE

A po shuhet klubi i futsallit Mabetex Prishtina?

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Presidenti i klubit të futsallit, Fatos Dili ka mohuar raportimet që Mabetex Prishtina është ‘buzë’ shuarjes në një bisedë për gazetën Nacionale.

Mabetex Prishtina ka dominuar dukshëm në futsall këto vitet e fundit, e suksesin më të madh e kishte gjatë vitit 2020, ku triumfuan fillimisht ndaj Tiranës në Ligën e Kampionëve në futsall, pastaj u mposhten nga gjiganti katalunas Barcelona.

Sidoqoftë, kishte raportime për një zenkë mes trajnerit të klubit Huan Morina dhe presidentit Fatos Dili, ku si pasojë kanë nisur këto probleme e që u mendua se do të arrinte deri te pika kur do të shuhet klubi.

Mirëpo, presidenti i Mabetex Prishtinës, Fatos Dili për Nacionalen mohoi të gjitha raportimet dhe deklaroi se nuk kanë asnjë problem, prandaj gjithçka do të vazhdojë normalisht.

"Jo, nuk ka kurgjo. Kurrëfar problemi nuk kemi. Nuk kam pasur asnjë problem me të (Huar Morinën) dhe klubi do të vazhdojë me garat normalisht".

Për t’i shtuar ‘zjarrë benzinës’ lidhur me shuarjen e klubit spekulimet u shtuan kur faqja zyrtare e Mabetex Prishtinës, ku janë vazhdimisht aktiv për një moment në rrjetin social “Facebook” u ‘zhduk’.

Por, prapë Dili nënvizon se janë thjeshtë disa probleme që s’kanë kurrëfare lidhje me situatën në klub dhe që edhe ajo punë do të rregullohet.

"Sa i përket faqes, janë disa probleme të tjera, por shumë shpejtë edhe ajo do të rregullohet".

Përpos Dilit, Nacionale kontaktoi edhe me trajnerin e Mabetexit, Huan Morina, i cili gjithashtu deklaroi se nuk ka asnjë problem në klub.

“Jo, nuk është aspak kjo situata që po e thua. Në rast që do të ketë ndonjë gjë, do të dalim me komunikatë zyrtare”, ishte përgjigja e Morinës, i cili nuk pranoi të jep detaje të tjera.

Ndërkohë, burimet e gazetës Nacionale bëjnë me dije se disa lojtarë, në fakt thuajse gjysma e skuadrës kanë gjetur klubin e ri.

Javët e ardhshme do të jenë vendimtare, ku pritet të mësohet përfundimisht se cila do të jetë e ardhmja e klubit kosovar.

Lajme të ngjashme