Klubi më i madh i futsallit në Kosovë, Liburni tërhiqet nga garat dhe e akuzon rëndë Agim Ademin - NACIONALE

Klubi më i madh i futsallit në Kosovë, Liburni tërhiqet nga garat dhe e akuzon rëndë Agim Ademin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liburni, klubi më i madh dhe më i suksesshëm në futsallin e Kosovës, ka vendosur të tërhiqet nga të gjitha garat përkohësisht, duke u ankuar për padrejtësi nga gjyqtarët, duke e akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Federatës së Kosovës, Agim Ademi.

“Kryesia e klubit FC. Liburn – Gjakovë në mbledhjen e rregullt shqyrtoi gjithë ecurinë e klubit në kampionatin e Kosovës në futsall për vitin 2021-22 dhe duke qenë shumë të indinjuar me ngjarjet të cilat klubit po ju përsëriten sikur edhe dy vitet e kaluara mori vendim që: Të pezullojë përkohësisht të gjithë aktivitetin e tij sportiv deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftimin e klubit gjakovar.

Liburni dështoi ta fitonte titullin sezonin e kaluar duke e mbyllur fushatën në vendin e dytë, pasi u mposht në finalen e play-off nga Liqeni.

Por klubi gjakovar pretendon se dështoi për t’u kurorëzuar kampion i Kosovës në futsall për shkak të gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit, duke paralajmëruar se nuk do të jetë pjesë e garave sezonin e ri.

“Ne si klub posedojmë fakte të mjaftueshme se si ky komision (i garave i FFK-së) përmes njerëzve të besuar të tyre si: Vëzhguesi Betim Sylejmani dhe referët Besar Beqiri dhe Besart Ismajli në tri vitet e fundit përmes veprimeve të tyre direkte dhe indirekte kanë ndikuar që FC. Liburn edhe përkundër të gjitha përpjekjeve sportive mos të arrijë deri te titulli kampion”.

“Dëshirojmë ta dimë se ku mbeten premtimet e kryetarit të FFK-së Zt.Agim Ademi i cili ka premtuar se do të jetë afër klubeve qe investojnë në futboll dhe do ti përkrahë pa rezervë në nevojat e tyre. Pse kryetari Zt.Agim Ademi po i anashkalon klubet që investojnë dhe nuk merret seriozisht me njerëz që paguhen me paga dhe meditje të rregullta nga FFK-ja. Edhe përkundër takimit që kishim me kryetarin e FFK-së me datë 17.06.2022 dhe Ankesës sonë të dërguar dhe protokolluar në FFK me datë 29.06.2022 me nr të Ref:108811,ne nuk morëm asnjë përgjigje deri me sot”, thuhet në njoftim.

Që prej se u mbyll sezoni më 18 qershor, Liburni është ankuar në rrjetet sociale duke postuar video nga finalja e humbur kundër Liqenit me incidentet e pretenduara.

Liburni e kishte mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë me 44 pik, tri më shumë se Liqeni që kishte përfunduar i treti, por ky i fundit triumfoi në play-off për t’u shpallur kampion i Kosovës në futsall.

Lajme të ngjashme