Trajneri i Rumanisë për lojtarët e Kosovës: I bllokova në çdo vend, u nervozuan dhe pastaj luajtën individualisht
Trajneri i Rumanisë Mircea Lucescu thotë se është shumë i lumtur me fitoren ndaj Kosovës, duke treguar se i mposhti fuqishëm taktikisht prandaj edhe lojtarët tanë luajtën individualisht.
Kosova pësoi humbje turpëruese në “Fadil Vokrri” me rezultat 0:3 ndaj Rumanisë, që ishte rivali kryesor për avancimin tutje.
Lucescu ka komentuar si i motivoi lojtarët dhe se çfarë iu tha për ta marrë këtë fitore.
“E dinim që po përballeshim me një skuadër shumë të fortë. Të gjithë lojtarët e tyre luajnë në top pesë ligat evropiane. Nuk e dinim saktësisht se qysh si skuadër do t’i menaxhonim kualitetet e tyre teknike. Prandaj u përgatitëm në mënyrë shumë serioze”.
“Punuam shumë në mënyrën taktike dhe e kontrolluam lojën. Ka shumë punë aty, kam një grup të mençur të lojtarëve që bëjnë çfarë iu kërkoj”.
“Rezultati është natyral. Në pjesën e parë nuk kishin ndonjë situatë. I bllokova gjithkund, u nervozuan dhe provuan të luajnë më shumë individualisht. Dinim si t’i sfidonim me presion. Kemi tre lojtarë me shpejtësi dhe janë në formë të mirë”.
I pyetur për fishkëllimat, trajneri fajësoi rumunët që i provokuan në ndeshjene kaluar.
“Duhet ta kuptojmë që është faji ynë, i kemi provokuar në ndeshjet e kaluara. Dua që njerëzit ta vlerësojnë futbollin ndryshe, me një sjellje ndryshe, të kemi respekt për lojtarët në fushë, respekt për të gjithë shtetin e tyre”.