Trajneri i PSV-së: S’kanë faj lojtarët, Arsenal është një nga klubet më të mira në botë
Trajneri i PSV-së Peter Bosz e ka vlerësuar Arsenalin si një nga klubet më të mira në botë pas humbjes 4:0 në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma.
“Topçinjtë” dominuan bindshëm ndaj klubit holandez me anë të golave të Bukayo Sakas, Leandro Trossard, Gabriel Jesus dhe Martin Odegaardit.
Pas ndeshjes, Bosz deklaroi se lojtarët e tij nuk kanë faj sepse kualiteti në krahasim me Arsenalin ishte shumë i lartë.
“Diferenca në kualitet ishte thjesht shumë e madhe sonte. Nëse do të bllokoheshim brenda zonës do t’i pësonim prapë ato gola”.
“Nuk u mbrojtëm mirë në zonën tonë, por ata gjithashtu kishin kualitet”.
“Arsenal është një nga skuadrat më të mira në botë, ne nuk jemi. Nuk i fajësoj lojtarët”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, edhe kapiteni i PSV-së Luuk de Jong beson se Arsenali do të përfundojë në pozitën e parë pas atij dominimit.
“Arsenal është thjeshtë një skuadër shumë e mirë. Provuam t’i bëjmë presion por pësuam lehtë dy gola”.
“E dinë saktësisht ku të lëvizin kur i bënim presion dhe gjithmonë e gjenin një lojtar të lirë. Kishin shumë qetësi në top, niveli ishte shumë i lartë. Ishte vështirë për ne”.
“Skuadra jonë meriton komplimente sepse luftuam. Arsenal ishte thjeshtë shumë e madhe. Duhet të garojmë me skuadrat e tjera për pozitën e dytë”.
