Trajneri i Milanit: Deri në minutën e 7-të, Interi nuk shkeli në zonën tonë
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, beson se skuadra e tij e nisi më mirë se Interi ndeshjen e parë gjysmëfinale, pavarësisht se i pranoi dy gola të shpejtë në çerekun e parë dhe tani ka një mal për ta kapërcyer nëse dëshiron të kalojë në finalen e Stambollit.
Milani në fakt pati një fillim të tmerrshëm të ndeshjes në San Siro, pasi Edin Dzeko e kaloi Interin në epërsi në minutën e 8-të, ndërsa Henrikh Mkhitaryan e dyfishoi atë vetëm tre minuta më vonë.
Sulmet e pareshtura të Interit vazhduan edhe përgjatë pjesës së mbetur të 45 minutave të parë dhe Hakan Calhanoglu e goditi shtyllën me një gjuajtje të jashtëzakonshme nga distanca.
“Ky është në term i vrazhdët”, tha Pioli kur iu tha në konferencë për media se Milani nuk njihej në fushë.
“Deri në minutën e shtatë, Interit nuk i shkeli këmba në zonën tonë, pastaj shënoi gol nga korneri i parë. Është e qartë se ne duhej të ishim më të përqendruar. Ne donim tjetër rezultat, por duhet të vazhdojmë të besojmë sepse një incident mund të ndryshojë gjithçka në ndeshjen e kthimit”, theksoi ai.

Interi ishte ekip shumë më agresiv dhe më i vendosur qysh nga fillimi, gjë që ishte befasuese duke e ditur se Milani po luante në shtëpi dhe kishte mbështetjen e turmës.
“Ne donim të ishim kompakt, energjikë dhe agresivë. Por Interi i fitoi shumicën e dueleve 50-50 dhe kjo i ndihmoi ta kontrollonte ndeshjen”, shtoi ai.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet të martën mbrëma, por meqë rregulli për golin e shënuar si mysafir nuk vlen më, çfarëdo fitore e Milanit me dy gola epërsi e çon ndeshjen në vazhdime.
Por do të jetë një detyrë e vështirë, duke ditur se Milani i ka humbur tri nga katër ndeshjet e fundit me Interin këtë sezon në Serie A, Superkupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.
“Djemtë e dinë se kjo paraqitje apo rezultat nuk ishte çka donim ne, ata janë të zhgënjyer. Por ne e dimë se ende kemi mundësi të fitojmë”, përfundoi Pioli.