Trajneri i Empolit: Nëse më duhet të shkoj në luftë këmbë zbathur, do ta marr me vete Ismajlin
Paolo Zanetti, si trajner i Empolit, ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Bolognas, ku ka përgëzuar formën e Ardian Ismajlit.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli, po kalon në formën më të mirë qëkur është transferuar në Serie A nga Hajduku.
Pas disa peripecive që e kanë shoqëruar në fillim të aventurës në Itali, Ardiani tashmë ka gjetur vetëbesimin dhe ambientimin e favorshëm për të qenë një mbrojtës që është arrë e fortë për thuajse çdo kundërshtar. Zanetti ka filluar të sheh tipare të veçanta te Ismajli. “Nëse më duhet të shkoj në luftë këmbë zbathur, pa fije dyshimi do ta marr me vete Ismajlin”, nënvizoi ai.
Kjo nuk është hera e parë që trajnerët që kanë ushtruar mbrojtësin shqiptar flasin mirë për të, por mund të thuhet që këto lëvdata vijnë në momentin më të mirë që po përjeton Ismajli si lojtar profesionist.
Luftëtar me sy tigri
Mbiemrat që ia ka atribuuar Paolo Zanetti mbrojtësit shqiptar gjatë konferencës së sotme kanë qenë ekzaltues. Ai nuk i ka kursyer ato për t’i dhënë komplimente të shumta Ismajlit.
“Ardianin e kam njohur gjatë këtij viti. Që prej herës së parë që jemi njoftuar, na ka mjaftuar një shikim për t’u kuptuar mes vete. Ai ka një karakter të jashtëzakonshëm. Zbret në fushë me sytë e një luftëtari. Ka sytë e një tigri”, tha Zanetti.
Me kaq nuk mjaftuan fjalët e mëdha në drejtim të 25-vjeçarit që po luan sezonin e dytë te klubi toskan, pasi duket që ka mbetur shumë i ngazëllyer nga qasja dhe karakteri që gëzon.
“Unë dhe ai kuptohemi përmendsh, sepse kemi mentalitetin e njëjtë. Ky është tipari i tij i madh dhe e meriton atë se çfarë është duke korrur”, përfundoi Zanetti.
Ardian Ismali ndryshe nga sezoni i kaluar, në këtë të sivjemin llogaritet si një titullar i palëkundur për skemat e Zanettit dhe vetë Empolit.
Ja pse lëvdatat e trajnerit të Empolit në drejtim të Ismajlit janë të përligjura
Mbrojtësi shqiptar, Ardian Ismajli, ia ka dalë që ta fitojë besimin e trajnerit Zanetti dhe të marrë përgjegjësi mbi vete, duke qenë kështu lideri i mbrojtjes së Empolit.
Këtë detyrë po e bën në formën më të përkryer të mundshme. Ai ka arritur të fitojë vetëbesim dhe të jetë një lojtar që guxon të shtyjë skuadrën përpara me topin në pronësi, si dhe të rikuperojë një numër të konsiderueshëm topash.
Kur jemi te ky parametër statistikor, në bazë të të dhënave të hollësishme të kampionatit italian, del se Ardian Ismajli renditet në pozitën e tretë pikërisht sa i takon rikuperimit të topave (69). Më mirë se ai në këtë aspekt kanë përformuar vetëm Okoli (70) dhe Baschirotto (85).

Përndryshe, mbrojtësi i Kombëtares “kuqezi” ka qenë shumë i pranishëm edhe në fazë sulmuese, duke bërë tre goditje në kornizën e portave kundërshtare deri më sot, kur Empoli numëron gjashtë javë të luajtura në kampionat, duke u renditur në vendin e 17-të të tabelës me 4 pikë të grumbulluara.

