Trajneri i Cluj frikësohet se Ballkani mund ta lërë jashtë Evropës skuadrën e tij: Ata japin gjithçka nga vetja - NACIONALE

Trajneri i Cluj frikësohet se Ballkani mund ta lërë jashtë Evropës skuadrën e tij: Ata japin gjithçka nga vetja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Cluj, Dan Petrescu, është i bindur se Ballkani do t’ia vështirësojë jetën skuadrës së tij në ndeshjen e fundit grupore në Ligën e Konferencës të enjten e ardhshme, duke e lartësuar kampionin e Kosovës për përkushtimin në fushë.

Ballkani nuk ka për çfarë të luajë më në Evropë, pasi rrugëtimi i tij i ëndërruar mori fund dje me disfatën 1:0 në shtëpi kundër Slavia Prahas, por Perescu beson se skuadra kosovare do të japë gjithçka nga vetja, pavarësisht.

Cluj është në vendin e dytë në grup me pikë të barabarta me Slavian dhe me një fitore të mundshme në shtëpi kundër Ballkanit, do ta kishte të sigurt kalimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Konferencës.

“Ne duhet të fitojmë dhe pastaj do të jemi në Evropë edhe në pranverë. Por Ballkani është një ekip që i shënoi gjashtë gola si mysafir, prandaj është e qartë se do të jetë një ndeshje e vështirë”, tha Petrescu para përballjes me kampionin kosovar.

Ballkani e kishte ndalur me barazim Clujin në përballjen e tyre të parë në grup në Prishtinë dhe Petrescu i di aftësitë e skuadrës së Ilir Dajës.

“Duhet ta mbaj ekipin të freskët për ndeshjen e së enjtes. Këta të Ballkanit do të japin më të mirën nga vetja, jam i sigurt për këtë. Duhet ta gjej baraspeshën, sepse edhe ndeshja e së dielës është e rëndësishme, por në kampionat kemi kohë për t’u rikuperuar”, shtoi ai.

Clujit do t’i mjaftonte edhe barazimi me Ballkanin për të mbetur në garë, por vetëm nëse Slavia dështon të fitojë kundër Sivassporit në ndeshjen tjetër të grupit.

Klubi rumun mund të kualifikohet tutje edhe me disfatë kundër ekipit kosovar, por vetëm nëse Slavia humb kundër liderit të grupit.

Lajme të ngjashme