Merr fund rrugëtimi i ëndërruar evropian i Ballkanit pas disfatës kundër Slavias në Prishtinë
Ballkani me humbjen e pësuar sonte 0:1 ndaj Slavia Prahës në “Fadil Vokrri”, iu shuan të gjitha shpresat për kualifikim. Angazhimi vetmohues nuk mjaftoi.
Kampioni kosovar luftoi shumë në fushë, por nuk ia doli të nxjerrë ndonjë rezultat pozitiv nga ndeshja e sotme, me ç’rast edhe u eliminua nga faza e grupeve pas rezultateve që u shënuan sot në Grupin G.
Përkrahja e madhe nga tifozët e anekënd Kosovës ishte e pranishme në “Fadil Vokrri”. Mijëra veta nga tribunat e stadiumit u përpoqën që t’i shtynin lojtarët e ekipit therandas për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

Atmofera e mirë sportive nuk mungoi, por ekipi kundërshtar, gjegjësisht Slavia Praha, ishte për disa nuansa më e mirë në fushë, ndonëse rastet për shënim i kishte edhe Balkani.
Pasqyra e ndeshjes ishte e atillë ku Slavia Praha mbizotëroi në qarkullim të topit, ndërsa me anë të disa kundërsulmeve të shpejta Ballkani përpiqej që ta gjente rrugën e rrjetës.
Në pjesë të parë u vunë në dukje disa aksione të shpejta dhe të mira nga Slavia Praha, por pa arritur që të konkretizoheshin.
Të vetmin rast të mirë për shënim në pjesën e parë Ballkani e kishte në minutën e tretë të shtesës. Ermal Krasniqi u lirua mirë në zonë, por goditja e tij përfundoi fare pranë shtyllës së djathtë pingule të ekipit çek.

Në pjesën e dytë ndeshja nisi me ritmin e njëjtë. Slavia Praha kishte më shumë mbizotërim të lojës falë cilësive të saj për ta qarkulluar topin.
Gjithsesi, rasti më i përfolur i ndeshjes erdhi në minutën e 56-të. Ermal Krasniqi në përpjekje për ta dribluar mbrojtësin Masopust, u pengua në zonën e rreptësisë dhe kërkoi penallti.
I të njëjtit mendim nuk ishte edhe gjyqtari i ndeshjes, i cili urdhëroi që ndeshja të vazhdonte. Mirëpo, ai që nuk arriti ta vazhdojë ndeshjen ishte vetë Ermal Krasniqi që kërkoi ndihmën e stafit mjekësor dhe më pas u largua nga fusha duke çaluar.

Ilir Daja i rebeluar me gjyqtarin e ndeshjes kërkoi sqarime shtesë. Ky i fundit e ndëshkoi atë me karton të verdhë për shkak të protestave.

Dushi i ftohtë për Ballkanin erdhi pas një çereku lojë. Në tridhjetë mintuat e fundit të lojës Slavia Praha kishte mbizotërimin e plotë në lojë.
Kështu, ekipi mysafir në minutën e 75-të me anë të mesfushorit kreativ Lingr ia doli që të kalojë në epërsi 0:1.
Në një tollovi të krijuar në zonë, si rezultat edhe i një pakujdesie nga faza mbrojtëse e ekipit therandas, përfitoi Lingr, për ta shtyrë topin në rrjetë.
Deri në fund të ndeshjes Ballkani kishte edhe dy raste të mira për shënim, të cilat erdhën në minutat shtesë të ndeshjes me anë të Albin Berishës, që zëvendësoi Ermal Krasniqin.

Kështu edhe përfundoi tërë ndeshja. Ballkani me këtë rezultat u eliminua nga Liga e Konferencës, ndërsa shpresat e Slavia Prahës mbeten akoma të gjalla për t’u kualifikuar tutje.
Gjendja tabelore në Grupin G është ajo që mund ta shihni të ilustruar në fotografinë e mëposhtme.

Ndërsa ndeshjen e fundit Ballkani do ta luajë në Rumani kundër Clujit javën e ardhshme. Slavia Praha do ta mirëpresë në fushën e vet Sivassporin, që është bërë skuadra e parë të ketë siguruar kalimin tutje, pas fitores që arriti sot 3:0 ndaj Clujit.