Trajneri i Chelseat lavdëron Mudrykyn: Ju mund t'i shihni cilësitë e tij
Trajneri i Chelseat, Graham Potter, dha lëvdata për yllin ukrainas, Mykhailo Mudryk, me 22-vjeçarin që bëri paraqitjen e parë me të kaltrit në barazimin pa gola në ndeshjen kundër Liverpoolit, duke u paraqitur për 35 minuta, ku edhe shkëlqeu me disa driblime.
Mesfushori i talentuar nënshkroi marrëveshje me Chelsean për tetë vitet e ardhshme, ku londinezët paguan 100 milionë euro te Shakhtar Donetsku.

Ndeshja derbi e së shtunës ishte një lojë e zymtë e dy skuadrave me paraqitje të dobët, të cilat ndoshta me meritë e gjejnë veten në mes të tabelës. Mudryk hyri në lojë në minutën e 55-të dhe ofroi emocionin më të madh, të paktën për tifozët e Chelseat, dhe trajneri i të kaltërve pranoi se ishte i impresionuar me blerjen e fundit të klubit.

"Ai [Mudryk] nuk ka luajtur futboll për një kohë, ka qenë në pushim në mes të sezonit, kështu që na është dashur të menaxhojmë minutat e tij dhe ai është ende në atë fazë," tha Potter për BT Sport pas ndeshjes. "Por unë mendoj se ju mund të shihni cilësitë e tij. Mendoj se ai pati një ndikim të mirë në lojë."

Në të vërtetë, 22-vjeçari bëri më shumë driblime se kushdo tjetër gjatë gjithë ndeshjes, pavarësisht se luajti për vetëm 35 minuta. Paraqitja e gjallë e Mudryk ishte një shenjë e fortë për mungesën krijuese që ka karakterizuar paraqitjet e fundit të Chelseat dhe i atribuohet kryesisht formës së tyre të tmerrshme kohët e fundit. Me Joao Felix të pezulluar që do të kthehet së shpejti dhe blerjen e fundit të yllit anglez Noni Madueke nga PSV, duket se ka dritë në fund të tunelit për trajnerin e të kaltërve, Potter.
Pas eliminimit të tyre nga raundi i tretë i FA Kupës dy javë më parë, Chelsea nuk është në aksion deri më 3 shkurt, kur pret Fulhamin në Premierligë.

