Liverpool dhe Chelsean ndahen në paqe, konfirmojnë formën e tyre të dobët
Liverpool dhe Chelsea barazuan 0:0 në “Anfield”, në atë që trumbetohej si derbi i kësaj dite në Premierligë, e që vetëm i tillë nuk u vërtetua. Paraqitja nga të dy skuadrat la për të dëshiruar.
Që asnjëra prej tyre nuk është në formën optimale dhe në përpikëri me objektivat që ia kanë vënë vetës, u pa qartë edhe sot. Liverpooli dhe Chelsea shfaqën shenjat e tyre të krizës edhe në ndeshjen e sotme.
Pavarësisht se krijuan raste të ndryshme për gol, të cilat përgjithësisht ishin fryte të gabimeve trashanike në vendosjen e dy mbrojtjeve respektive – nuk arritën që t’i konkretizonin ato me gola të shënuar.
Rastet më të mira në ndeshje i kishte Chelsea, por edhe në këtë takim u vë re që po has në vështirësi të theksuar për ta futur topin në rrjetë.
Në këtë ndeshje debutoi edhe përforcimi më i ri i skuadrës londineze, respektivisht Mudryk. Ai u inkuadrua nga minuta e 55-të, duke shfaqur disa shenja të mira në fushë, ku disa herë edhe ishte shpërthyes brenda zonës së Liverpoolit.
Ndërkaq për Liverpoolin edhe një herë la një shije të hidhur Gakpo. Sulmuesi holandez nuk po arrin të japë impaktin e dëshiruar
Gjithsesi, pas këtij barazimi Liverpool mbetet në pozitën e 8-të tabelore me 29 pikë. Me po kaq pikë, vetëm se me një ndeshje më shumë të zhvilluar, ndodhet Chelsea, që zë pozitën e 10-të.

Përmbledhja e ndeshjes Liverpool – Chelsea:
