Tottenhami pritet t'i ndajë rrugët me Conten gjatë kësaj jave
Gazeta e prestigjioze britanike, The Telegraph, ka mësuar se Tottenham Hotspur pritet t’i ndajë rrugët me trajnerin italian, Antonio Conte, gjatë kësaj jave.
Conte që për momentin është kthyer në Itali për pushimin dyjavor, pati një shpërthim pas ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Southamptonit, ku nga fitorja 3:1, arritën të merrnin vetëm një barazim 3:3, me italianin që akuzoi lojtarët për lojë vetjake dhe pa mentalitet fituesi, teksa pati kritika edhe pronarin Daniel Levy, për të cilin tha se në 20 vite nuk ka fituar asgjë me klubin.
Asnjë konfirmim nuk erdhi për largimin e tij sot gjatë ditës së hënë, por pronari Levy sipas burimeve të The Telegraph ka diskutuar për lëvizjen e radhës, pasi situata duket e pakthyeshme.
Levy nuk ka komentuar deklaratat e Contes akoma, por besohet se ka kërkuar mendimin e të besuarve të tij më të afërt për situatën aktuale.

Skenari më i mundshëm është largimi i Contes gjatë kësaj jave dhe në krye të Spurs të vijë përkohësisht, Ryan Mason, deri në përfundim të sezonit aktual, duke nisur me ndeshjen e 3 prillit me Evertonin.
Një tjetër opsion i përfolur është që gjatë pushimit kur luajnë kombëtarët, Levy të tentojë të bind një nga emrat e mëdhenj të lirë momentalisht, siç janë: Luis Enrique, Thomas Tuchel apo Mauricio Pochettino, por ky opsion ka një vështirësi të madhe pasi është shumë e vështirë që ata të vijnë përpara se të përfundojë sezoni.

Në anën tjetër një bisedë mes Contes e Levyt tashmë ka ndodhur, ku italiani i ka treguar që deklaratat e tij nuk kishin synim atë, por mentalitetin e lojtarëve, teksa ai është shprehur se nuk tërhiqet nga deklaratat e tij.
Tottenham momentalisht është në vendin e katërt të Premierligës, megjithëse Newcastle dhe Liverpool që gjenden prapa kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe do ta ketë shumë të vështirë deri në fund për të siguruar këtë pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në vitin e ardhshëm.


