Tottenham deklason Leicesterin, Son hesht kritikët duke shënuar het-trik - NACIONALE

Tottenham deklason Leicesterin, Son hesht kritikët duke shënuar het-trik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tottenham ka shënuar një fitore të thellë kundër Leicesterit, duke e mposhtur atë me rezultat 6:2. Në këtë fitore shkëlqeu Son, duke kompletuar trigolëshin në ndeshje.

Për Spurs fillimi i këtij sezoni vazhdon të jetë mjaft i mirë, pasi po arrinë të korrin rezultate pozitive.

Një fitore të çmuar, me gola dhe duke bindur me paraqitje – e morën si nikoqirë të Leicesterit. Për më tepër, kjo fitore i barazon me pikë me Manchester Cityn në krye të tabelës.

Ndërsa, kjo ishte humbja e radhës për Leicesterin e udhëhequr nga Brendan Rodgers, i cili tashmë seriozisht rrezikon që të shkarkohet nga drejtuesit e klubit.

Raporti i ndeshjes Tottenham 6:2 Leicester

Fillimi i ndeshjes ishte mjaft dinamik. Leicester ishte më kërkues dhe në minutën e 5-të iu akordua një penallti nga gjyqtari i ndeshjes.

Tielemans goditi nga pika e bardhë, por Lloris devijoi topin. Gjithsesi, pas rishikimit të pamjeve, u vendos që penalltia të përsëritej. Për herë të dytë nuk gaboi Tielemans, duke e kaluar skuadrën mysafire në epërsi në minutën e 6-të.

Mirëpo shumë shpejt erdhi barazimi i rezultatit. Ishte sulmuesi Kane ai që në minutën e 8-të u gjend më së miri në zonë të rreptësisë, duke shtyrë topin në rrjetë për 1:1.

Ndeshja po bëhej shumë interesante në vazhdim. Kësisoj, Tottenham ia doli të kalojë në epërsi në minutën e 21-të me Dier.

Sidoqoftë, kur më së paku pritej ng një aksion që nuk premton shumë, ishte mesfushori anglez me tipare sulmuese, Maddison, ai që në minutën e 41-të barazoi rezultatin në 2:2.

Kështu u mbyll pjesa e parë. Ndërkaq, një pjesëlojë me rrebesh golash u karakterizua në 45 minutat e fundit.

Fillimisht ishte ish-mesfushori i Juventusit, Bentacour, ai që sërish riktheu në epërsi Tottenhamin në minutën e 47-të të lojës.

Ndeshja filloi të merrte një kahje të re në minutën e 59-të kur Son zëvendësoi Richarlisonin, pasi sulmuesi brazilian kësaj radhe luajti titullar.

Kështu, ishte koreano-jugori ai që në minutën e 73-të thelloi epërsinë për vendësit në 4:2.

Pas jo më shumë se njëmbëdhjetë minutash lojë, sërish Son doli në skenë, duke shënuar një gol vërtet të bukur, me ç’rast heshti edhe kritikët, për të çuar shifrat në 5:2.

Nuk kaluan më shumë se dy minuta kur erdhi edhe goli i radhës nga Son. Kësaj radhe ai fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të pamjeve nga VAR u vlerësua si i rregullt dhe kësisoj vulosi fitoren 6:2 në të mirë të skuadrës së Contes.

Deri më tani Tottenham ka zhvilluar shtatë ndeshje në Premierligë, ku grumbullon 17 pikë, me pikë të barabarta me Manchester Cityn që udhëheq momentalisht kampionatin, në pritje të ndeshjeve që duhet t'i zhvillojë rivali lokal, Arsenali, i cili deri para kësaj jave kishte primatin.

Lajme të ngjashme