Toni Kroos nuk mund të besojë si Man City u zgjodh klubi më i mirë në botë, e Real Madridi i treti
Mesfushori Toni Kroos ka mbetur i habitur se si klubi i tij Real Madrid nuk e fitoi çmimin klubi më i mirë i sezonit 2021/22, gjatë ceremonisë së Topit të Artë të hënën.
Megjithëse kishte një sezon të jashtëzakonshëm duke e fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligën edicionin e kaluar, Reali u zgjodh klubi i tretë më i mirë dhe Manchester City e fitoi çmimin klubi më i mirë për i sezonit të kaluar.
Liverpooli përfundoi në vendin e dytë, pavarësisht se ishte mposhtur pikërisht nga Real Madridi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Real e kishte mposhtur Cityn në gjysmëfinale të kësaj gare, prandaj mesfushori gjerman Kroos mbeti i hutuar se si skuadra e tij përfundoi në vendin e tretë.
“Ekipi i tretë më i mirë në sezonin 2021/22 – a je i lumtur Real Madrid?” shkroi Kroos në rrjetin social Twitter.
3rd best team in 2021/22 - happy @realmadrid?
— Toni Kroos (@ToniKroos) October 17, 2022
City e fitoi titullin në Premierligë sezonin e kaluar, derisa u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të FA Cup, si dhe ra nga Carabao Cup qysh në rrethin e katërt.
Liverpooli, ndërkohë, përfundoi i dyti në ligë dhe finalist në Ligën e Kampionëve, por i fitoi FA Cup dhe Carabao Cup.
Përveç se e fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligën, Real Madridi e fitoi edhe Superkupën e Spanjës. Në Kupën e Mbretit dështoi në çerekfinale, megjithatë.
Megjithëse nuk fitoi trofe kolektiv në këtë ceremoni, Real Madridi pati shumë për të festuar të hënën, pasi sulmuesi i vet Karim Benzema e fitoi Topin e Artë për herë të parë.
Thibaut Courtois e fitoi çmimin portieri më i mirë në botë dhe përfundoi brenda top 10 lojtarëve më të mirë në botë bashkë me Vinicius Juniorin dhe Luka Modricin.
