“Thjesht i kontaktojmë dhe ua ofrojmë shansin të luajnë për Shqipërinë”, Bushi tregon si po i josh lojtarët nga Kosova - NACIONALE

“Thjesht i kontaktojmë dhe ua ofrojmë shansin të luajnë për Shqipërinë”, Bushi tregon si po i josh lojtarët nga Kosova

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Shqipërisë U21 Alban Bushi thotë se lojtarëve të Kosovës thjesht ua ofron shansin të luajnë në fanellën “Kuq e Zi”.

Kosova apo Shqipëri është tema që ka fituar vëmendjen e të gjithëve këta muajt e fundit, pasi Bushi te Shqipëria U21 mori lojtarë si Adrion Pajaziti, Medon Berisha, Dion Berisha, Arlind Rexhepi dhe tani Ermir Rashica, lojtarë që dikur përfaqësonin grupmoshat e Kosovës.

I pyetur se si është duke i bindur këta lojtarë që ta lënë Kosovën për Shqipërinë, nëse është falë punës së tij apo suksesit të ekipit A, Bushi deklaroi:

Mund të jetë ekipi i parë, por nuk mendoj. Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë”.

Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja Kombëtaret janë njësoi. Siç ne na bëhet qejfi kur Kosova ecën mirë, edhe atyre u bëhet qejfi kur Shqipëria bën mirë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Bushi deklaroi se ka kontaktuar edhe Arijon Ibrahimovicin mirëpo s’e ftoi pasi ky i fundit po pret “Gjermaninë ose dikë tjetër”.

Lajme të ngjashme