Thirrje homofobike në ndeshjen City – Chelsea? | FA do të nisë hetime - NACIONALE

Thirrje homofobike në ndeshjen City – Chelsea? | FA do të nisë hetime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata angleze e futbollit(FA) do të nisë hetime mbi thirrjet e dyshuara homofobike në ndeshjen mes Manchester Cityt e Chelsea në kuadër të FA kupës, ku qytetarët mposhtën të kaltrit e Londrës me rezultat 4:0.

Këndimi diskriminues në kor u dëgjua nga fundi i ndeshjes së raundit të tretë në Etihad Stadium, ku City i dha leksion Chelseas.

FA thotë se do të punojë me autoritetet ligjore dhe me skuadrën e Manchester Cityt për të shqyrtuar incidentin, duke shkruar në një deklaratë: "Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me Prokurorinë Mbretërore, si dhe Njësinë e Policisë së Futbollit të Mbretërisë së Bashkuar, në lidhje me atë se çfarë u dëgjua në stadium.

"Një pjesë e punës sonë në këtë fushë ka qenë për t'u dhënë autoriteteve përkatëse deklarata nga mbështetësit LGBTQ+, duke detajuar se si këndimet e kësaj natyre ndikojnë në përvojën e tyre dhe ndjenjën e përfshirjes në ndeshjet e futbollit, në mënyrë që të vendoset një qëndrim më i qartë dhe mirëkuptim mbi këndimin.

"Ne qëndrojmë me forcë kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe po përpiqemi të sigurojmë se loja jonë është një mjedis i sigurt për të gjithë, i cili përqafon me të vërtetë diversitetin dhe sfidon ndjelljen e urrejtjes si në fushë ashtu edhe jashtë saj."

Kjo nuk është hera e parë këtë javë në FA kupë që dëgjohen thirrje homofobike.

FA ka premtuar tashmë një hetim në pretendimet se këngët homofobike janë dëgjuar gjatë fitores 3:1 të Manchester Unitedit kundër Evertonit në Old Trafford të premten.

Ky do të ishte hetimi i dytë për homofobinë e supozuar nga tifozët e Unitedit këtë sezon, pasi këngë të tilla u dëgjuan gjatë përballjes së tyre kundër Chelseat në Premierligë në tetor të vitit të kaluar.

Një tjetër hetim u nis javën e kaluar pas barazimit të Chelseat në Premierligë kundër Nottingham Forest më 1 janar.

Lajme të ngjashme