Man City i jep leksion Chelseas, kualifikohet tutje - NACIONALE

Man City i jep leksion Chelseas, kualifikohet tutje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka shënuar fitore të thellë ndaj Chelseas në kuadër të raundit të 32-të në FA Cup.

"Qytetarët" triumfuan me rezultat 4:0, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet qysh nga minutat e para.

Riyad Mahrez kaloi Manchester Cityn në epërsi me një goditje të shkëlqyeshme nga gjuajtja e lirë duke dërguar topin në korner të portës së Kepa Arrizabalagas (23').

Vetëm shtatë minuta më vonë, pas një prekje të topit me dorë nga Kai Havertz, arbitri akordoi penallti nga e cila i pagabueshëm doli të jetë qendërsulmuesi Julian Alvarez (30').

Dominimi i Man Cityt vazhdoi me një tjetër aksion të shkëlqyeshëm, ku Kyle Walker dhuroi një asistim të mrekullueshëm për Phil Foden i cili trefishoi epërsinë (38').

Në pjesën e dytë, ndeshja deri vonë ishte shumë e baraspeshuar me dy skuadrat angleze që provonin ndërtimin e aksioneve por deri vonë të pasuksesshme.

Kur mendohej se gjithçka do mbyllej me këtë rezultat, mbrojtësi Kalidou Koulibaly bëri një ndërhyrje brenda zonës duke shkaktuar penalltinë e dytë në ndeshje.

Nga 11-metërshi ishte shumë i saktë Mahrez, duke realizuar golin që doli të jetë i dyti personal dhe vulosi fitoren e thellë të skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola.

Manchester City tani avancon në raundin e katërt, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Oxford Utd - Arsenal, sfidë kjo që zhvillohet nesër.

Lajme të ngjashme