Tërmeti e shemb ndërtesën e klubit turk, disa futbollistë mbulohen nga rrënojat
Ndërtesa e klubit të futbollit Adıyaman Besni Akınspor është bërë rrafsh e tokë nga tërmeti shkatërrues që e goditi Turqinë të hënën. Raportohet se disa futbollistë të klubit kanë ngecur nën rrënoja.
Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë 4.890 njerëz në të dy vendet.
Në Adiyaman, ku shumë ndërtesa u shkatërruan, përpjekjet për t’i shpëtuar të mbijetuarit të tërmetit po vazhdojnë.
Kryetari i komunës së Adiyaman, Mahmut Cuhadar, njoftoi se 100 ndërtesa në këtë qytet u shkatërruan, përfshirë atë të klubit të futbollit Akinspor, ndërsa të paktën 28 persona u vranë.
Media turke raportojnë se disa futbollistë të klubit Akinspor kanë mbetur nënë rrënojat e ndërtesës dhe se janë dëgjuar disa zëra, por aty nuk ishte askush për të ndihmuar.
“Njerëzit po bërtasin tërë kohën, në mënyrë që të nxirren të gjallë nga rrënojat”, ka thënë një dëshmitar në Adiyaman.
Ndërkohë, futbollisti Taner Kahriman vdiq sot, pasi kishte mbetur i ngujuar nën rrënojat e tërmetit për rreth një ditë në Istiklalspor.
Ai raportohet të jetë futbollisti i parë që e ka humbur jetën në këtë tragjedi. Shumë futbollistë të tjerë raportohet të jenë lënduar, po ashtu.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 3.381, sipas autoriteteve vendase. Raportohet se 20.426 janë lënduar.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 1.500 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i të vdekurve në të dy vendet tani arrin në 4.890.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.
Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.
Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.


