Vdes futbollisti 25-vjeçar, pak orë pasi u nxor nga rrënojat e tërmetit në Turqi - NACIONALE

Vdes futbollisti 25-vjeçar, pak orë pasi u nxor nga rrënojat e tërmetit në Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Futbollisti Taner Kahriman ka vdekur në spital nga plagët që ia shkaktoi tërmeti shkatërrues në Turqi të hënën në mëngjes.

Kahriman ishte vetëm 25 vjeç dhe luante për Kahramanmaras Istiklalspor, klubin që bënte gara në futbollin amator turk.

Mediat turke raportojnë se Kahriman vdiq sot, pasi kishte mbetur i ngujuar nën rrënojat e tërmetit për rreth një ditë.

Ai raportohet të jetë futbollisti i parë që e ka humbur jetën në këtë tragjedi. Shumë futbollistë të tjerë raportohet të jenë lënduar, po ashtu.

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë 4.890 njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 3.381, sipas autoriteteve vendase. Raportohet se 20.426 janë lënduar.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 1.500 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i të vdekurve në të dy vendet tani arrin në 4.890.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme