Tenistja bjelloruse urrehet nga tenistet tjera shkaku i Rusisë: Unë s'kam bërë asgjë
Tenistja numër dy në botë bjellorusja, Aryna Sabalenka, ka thënë se është duke u përballur me urrejtje në dhomën e zhveshjeve për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Kampionia e Australian Open po ashtu tha se ka pasur biseda të çuditshme me disa prej ekipeve të tenisteve të tjera.

Bjellorusia është aleate e Rusisë dhe i lejoi trupat ruse të shfrytëzonin territorin e saj për pushtim e Ukrainës vitin e kaluar.
“Ishte e vështirë ta kuptoja se pse kaq shumë njerëz më urrejnë pa arsye. Unë s’kam bërë asgjë”, theksoi Sabalenka.
“Asnjëherë nuk jam përballur me kaq shumë urrejtje. Në Instagram ka shumë persona që më urrejnë por nuk e prisja të më ndodhte edhe në zhveshtore, asnjëherë nuk më ka ndodhur një gjë e tillë”, shtoi ajo.

Tenistja ukrainase Lesia Tsurenko u tërhoq nga dy ndeshjet kundër Sabalenkës – në grand slamin Australian Open 2023, si dhe në Indian Wells javën e kaluar.
Tsurenko tha se përjetoi sulm paniku pas një bisede me shefin ekzekutiv të Shoqatës së Tenisit të Grave (WTA), Steve Simon, në lidhje me reagimin e tyre ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
WTA lëshoi një paralajmërim formal ndaj ruses Anastasia Potapova në Indian Wells, e cila e kishte veshur fanellën e klubit të futbollit Spartak Moska para ndeshjesh së saj kundër amerikanes Jessica Pegula.

Tenistja numër një në botë Iga Swiatek tha se nevojitet një përqendrim më i madh për t’i ndihmuar tenistet ukrainase, derisa lufta në Ukrainë po futet në vitin e dytë./Orselina Lazraj/


