Iga Swiatek e mposht Ons Jabeurin për ta fituar US Openin për herë të parë - NACIONALE

Iga Swiatek e mposht Ons Jabeurin për ta fituar US Openin për herë të parë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri një i botës Iga Swiatek e përmbylli një sezon mbizotërues duke e mposhtur tunizianen Ons Jabeur në finale të US Open, duke e fituar titullin e dytë grand slam në vitin 2022.

Tenistja nga Polonia, 21 vjeçe, fitoi në dy sete 6-2 dhe 7-6 për ta siguruar trofeun e grand slamit të fundit të vitit në Nju Jork të shtunën.

Pas një seti tejet të njëanshëm, 28-vjeçarja Jabeur e gjeti veten kah mesi i setit të dytë por nuk ishte mjaftueshëm për ta ndalur Swiatekin nga fitimi i grand slamit të tretë në karrierë.

Dy trofetë e kaluar grand slam Swiatek i fitoi në French Open.

Jabeur e humbi edhe finalen e Wimbledonit në korrik dhe pritja e saj për njërin prej katër titujve më prestigjioz në tenis do të vazhdojë.

Finalja në Flushing Meadows ishte një takim mes dy tenisteve kryesore në WTA këtë vit, por Swiatek dëshmoi me një paraqitje tejet mbizotëruese se pse ekziston një hendek i madh mes saj dhe pjesës tjetër të tenisteve.

Swiatek mbetet numër një në botë, dhe do të kishte mbetur e tillë edhe sikur të kishte humbur, ndërsa Jabeur është ngritur nga pozita e pestë në vendin e dytë, që është arritja më e lartë në karrierë për të.

“Nuk kisha pritje të mëdha. Para këtij turneu, ishin kohë shumë sfiduese”, tha Swiatek, e cila e pranoi se nuk i pëlqyen aspak topat e lehtë që u përdorën nga tenistet në US Open këtë vit.

Jabeur e pranoi se polakja e meritoi triumfin: “Iga nuk ma bëri të lehtë aspak. Ajo e meritoi fitoren”.

Jabeur u bë tenistja e parë afrikane, arabe apo tuniziane që arrin në finale të US Open.

“Fitorja dhe humbja janë pjesë të tenisit. Vuajta për ta fituar titullin e parë në WTA. M’u desh kohë. Prandaj, besoj se do të më duhet kohë (ta fitoj grand slamin e parë”, theksoi ajo.

Lajme të ngjashme