Sabalenka triumfon në Australian Open në konkurrencën e grave, mposht në finale Rybakinan - NACIONALE

Sabalenka triumfon në Australian Open në konkurrencën e grave, mposht në finale Rybakinan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aryna Sabalenka ka ngadhënjyer në Grand Slamin e Australian Openit, duke mposhtur 2:1 në sete kazaken Elena Rybakinan.

Finale shumë e rivalizuar dhe e fortë ishte ajo që u zhvillua sot në konkurrencën grave, mes dy tenisteve që kanë treguar një formë të admirueshme gjatë këtyre javëve, Sabalenka, gjegjësisht Rybakinan.

Dueli nisi më mirë për tenisten nga Kazakistani. Ajo fitoi setin e parë me rezultat 6:4. Bjellorusja nuk u step me kaq, por vazhdoi që të kërkojë me ngulm barazimin në setin e dytë.

Një gjë të tillë e arriti duke fituar 3:6, pas një mbizotërimi që spikati në shërbime të sakta. Sabalenka vijoi formën e mirë edhe në setin e fundit, ku fitoi me rezultat 4:6, për ta mbyllur kështu çështjen e fitueses.

24-vjeçarja arriti që t’i arsyetojë edhe pritjet rreth saj, meqenëse ishte konsideruar favorite e lehtë për ta fituar këtë Grand Slam, që njëherësh ishte i pari për të.

Kjo fitore ishte e hidhur për kampionen e Wimbledonit në fuqi. Sabalenka, që është numri pesë i botës në konkurrencën e grave, ia doli të ishte më gjakftohtë në këtë duel aq të ekuilibruar dhe mahnitës, me emocione në të dy anët e fushës.

Megjithatë, falë këtij triumfi, do të rikthehet në pozitën e dytë në renditjen botërore. Sabalenka akoma mbetet e pamposhtur në vitin 2023.

Ajo këtë duel e zhvilloi nën petkun e tenistes neutrale, edhe pse është bjelloruse me shtetësi, por për shkak të sanksioneve që ekzistojnë ndaj shtetit të saj amë – i është kushtëzuar një zgjedhje e tillë.

Fituesja e Australian Open kur u prononcua në fund të duelit foli hapur rreth kësaj teme: “Mendoj që të gjithë e dinë që akoma jam lojtare bjelloruse. Kjo është e gjitha.”

Finalja tjetër në konkurrencën e burrave do të zhvillohet mes Tsitsipasit dhe Djokovicit me fillim në ora 9:30 (mëngjes) me kohën tonë lokale.

Lajme të ngjashme