Ten Hag thotë se problemi i Manchester Unitedit ishte shpirti i skuadrës
Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka folur pas fitores minimale të skuadrës së tij ndaj Southamptonit, ku ka thënë se ka identifikuar problemin e deritanishëm, që tha se ishte mungesa e shpirtit të skuadrës. Kujtojmë se djajtë e kuq pas dy humbjeve rresht, tani kanë regjistruar dy fitore në ndeshjet e fundit.
Bruno Fernandes hodhi një goditje fantastike në Saint Mary's Stadium për t'i dhënë Unitedit një fitore të dytë radhazi në këtë javë, fitore e cila ndihmon shumë për të hequr retë e varura mbi klub. Është hera e parë që United ka fituar ndeshje të njëpasnjëshme që nga shkurti – që ishte edhe hera e fundit që ata shijuan fitoren në udhëtim në Premierligë. Më e rëndësishmja, Ten Hag këmbëngul se lojtarët e tij kanë mësuar mësimet nga fillimi i tyre katastrofik i sezonit, i cili i la ata në fundin e tabelës së Premierligës.

“Duhet të përshtateni dhe të gjeni një mënyrë të caktuar për të fituar ndeshjet dhe kjo është ajo që ne bëmë sot”, tha Ten Hag. “Ky ishte problemi, sidomos në ndeshjen e dytë. Kur nuk jep gjithçka dhe nuk ke qëndrim 100 për qind dhe nuk ke shpirt të duhur ekipor, nuk ke pse të flasësh për filozofinë ose planin e lojës ose çfarëdo. Së pari duhet të jetë një ekip dhe shpirt dhe angazhim 100 për qind.”
Ndërsa United ka bërë një rrugë të gjatë drejt rikthimit të sezonit të tyre në rrugën e duhur, fitorja kundër Southampton nuk ishte bindëse, me mysafirët që iu desh t'i mbijetonin një sulmi të minutave të vona. Por besimi tani duhet të rritet brenda skuadrës, me metodat e Ten Hagut që në mënyrë efektive i largojnë ata nga një krizë e afërt.
Ndeshja e ardhshme e Erik ten Hag në krye të United është në mesjavë, ku ata takohen me Leicester Cityn, pra më 1 shtator, ditën edhe kur mbyllet afati kalimtar veror.

Trajneri holandez pret një sulmues si Antony të arrijë deri atëherë, dhe t’i jepet fund çështjes së Cristiano Ronaldos njëherë e mirë, që skuadra e tij të shpëtoj nga thashethemet e vazhdueshme.
