Telashe për Mallorcan, Vedat Muriqi pezullohet me dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq të pranuar - NACIONALE

Telashe për Mallorcan, Vedat Muriqi pezullohet me dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq të pranuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi do të mungojë në dy ndeshjet e radhës të Mallorcas pas kartonit të kuq që mori në ndeshjen kundër Elches të hënën mbrëma.

Fillimisht u hamendësua se do të mungonte vetëm një ndeshje, por Komiteti i Garës i La Ligas mori vendim që Vedat Muriqi të mos ketë drejtë loje për dy ndeshjet në vijim.

Konkretisht ai do të mungojë në dy ndeshje mjaft të rëndësishme në kampionat, atyre ndaj Sevilla dhe Real Sociedadit.

Deri më tani Vedat Muriqi ka shënuar katër gola në kampionat, me një mesatare prej një goli në dy ndeshje.

Ndeshja e së hënës ishte e çmendur për sulmuesin prizrenas, pasi aty prodhoi gjithçka: nga një penallti e humbur, te një penallti e goditur saktë dhe në fund një byrryl i zgjatur që i kushtoi me përjashtim nga loja, kur rezultati ishte 1:1 pak minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Kjo nënkupton se ai do të mund të kthehet në aksion tek më 22 tetor, në ndeshjen që klubi ishullor ku luan ai do të ballafaqohet në udhëtim ndaj Valencias së Gennaro Gattusos.

Mediet spanjolle gjatë orëve të fundit kanë shkruar se si do të jetë një kokëdhimbje e madhe për trajnerin meksikan të Mallorcas, Javier Aguirre, mungesa e Vedat Muriqit. Ai do të duhet ta ndryshojë edhe skemën e lojës në pamundësi që të llogarisë në shërbimet e sulmuesit "dardan".

Sulmuesi që identifikohet me nofkën e “piratit” në Spanjë, mori përkrahjen e plotë nga trajneri pas përfundimit të ndeshjes, i cili tha që kishte motivuar atë që ta merrte sërish përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë nëse do të jepej edhe një tjetër gjatë pjesës së dytë.

Krejt këtë e tha me poentën se të gjithë kanë besim tek ai. Padyshim se për shkak të asaj çfarë ka treguar nga janari deri në maj si lojtar i huazuar nga Lazio, si dhe nga gushti e deri më tani si lojtar i Mallorcas, kartoni i të cilit është siguruar gjatë afatit kalimtar veror – Muriqi ka marrë një peshë të madhe në skuadër.

Gjatë ditës së djeshme ai bëri reagimin e parë që pas atyre gjërave që ngjanë të hënën, duke u kërkuar falje tifozëve për kartonin e kuq, por edhe duke i siguruar ata se do të japë gjithnjë pikën e fundit të gjakut për ta mbrojtur fanellën e ekipit.

“Megjithëse dje dhashë gjithçka në fushë, do të doja të jap shumë më shumë për ekipin tim. Ju kërkoj falje të gjithëve, nuk do të ndalem duke luftuar e luftuar deri në pikën e fundit të gjakut për këtë mburojë”, shkroi Muriqi në llogarinë e tij të rrjetit social “Twitter”.

Lajme të ngjashme