Një penallti e humbur, një e shënuar dhe një karton i kuq, paraqitje për t'u harruar e Vedat Muriqit
Sulmuesit Vedat Muriqi nuk i ka ecur shumë mbarë në sfidën e sotme ndaj Elches.
Kosovari shënoi, humbi një penallti dhe mori një karton të kuq brenda 85 minutave sa ishte në fushë.
Fillimisht, Vedat Muriqi kishte rastin e artë të shënonte nga pika e bardhë, por që portieri vendas Edgar Badia arriti t'ia lexojë mendjen dhe ia mohoi golin pas 12 minutave lojë.
Vetëm tre minuta më vonë, Elche arriti të kalojë në epërsi falë Ezequiel Ponce që u asistua nga Gumbau (15'), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.
Për Elchen, situata u vështirësua pasi Lucas Boye u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme.
E derisa zhvillohej minuta e 71-të, për Mallorcan u akordua një tjetër penallti, ku Muriqi prapë mori përgjegjësinë dhe këtë herë ishte i pagabueshëm duke shënuar në të njëjtin kënd (71').
Sidoqoftë, kur mendohej që po ndodh përmbysja e mysafirëve, Muriqi u nervozua me kundërshtarin duke e goditur në fytyrë, e si pasojë pas rishikimit të VAR-it u ndëshkua direkt me karton të kuq (85').
Në fund, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, e për Muriqin do të jetë një paraqitje për t'u harruar.
Ndërkohë, kosovari tani është lojtari i shtatë në La Liga me më së shumti gola me katër sosh, pozitë që e ndan me yllin e Atletico Madridit, Alvaro Morata.
Si pasojë e kartonit të kuq, Muriqi do të mungojë në dy sfidat e radhës kundër Sevillas dhe Real Sociedadit.