Tchouameni: Duam hakmarrje ndaj Cityt
Real Madrid do të synojë t’i hakmerret Manchester Cityt, së paku kështu ka deklaruar mesfushori Aurelien Tchouameni.
“Qytetarët” e dominuan vjet Realin ku pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1:1, City triumfoi bindshëm në “Etihad” me rezultat 4:0 për t’u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampionëve.
E fati i njëjtë i ka përcjellë skuadrat që do të takohen mes vet, veçse kësaj radhe në çerekfinale. Tchouameni ka bërë të ditur se nuk i frikësohet Cityt, përkundrazi Reali synon hakmarrje.
“Ne jemi Real Madridi, nuk guxojmë të frikësohemi. Humbëm vitin e kaluar dhe tani do të synojmë hakmarrje, duam të tregojmë se jemi Real Madridi”.
“Për të qenë më i miri duhet të mposhtësh më të mirët. Do të shkojmë ndeshje pas ndeshje, që ta ngrijmë trofeun në qershor”.
Ndër të tjera, Tchouameni tha haptas se nëse Reali s’e lejon të marrë pjesë në Olimpiadë atëherë nuk do të bëjë ndonjë kërkesë.
“Sigurisht është diçka e pabesueshme, por Real Madridi është punëdhënësi ynë prandaj nëse votojnë kundër nuk ka shumë për të folur”.
Tchouameni momentalisht është me Francën, ku të premten zhvillojnë miqësoren ndaj Gjermanisë.