Tahir Lushtaku pas rënies të Drenicës nga liga: Ndërhyrjet politike e shkatërruan klubin
Trajneri Tahir Lushtaku thotë se është e dhimbshme ta shohësh Drenicën në Ligën e Parë, duke deklaruar se ndërhyrjet politike e kanë shkatërruar klubin nga Skenderaj.
Për herë të parë në histori që pas inkuadrimit, “Kuq e Zinjtë” ranë nga elita e futbollit anglez.
Lushtaku që tërë karrierën ndoshta e ka kaluar te Drenica si futbollist, e pastaj edhe si trajner për Gazetën Nacionale tha se është një situatë vërtetë e dhimbshme
“Është vërtetë shumë e dhimbshme, jo vetëm për mua edhe pse kam qenë pjesë e klubit që 30 vite, por edhe shumë njerëzve në aspektin e përgjithshëm duke nisur nga donatorët, futbollistët. Me të vërtetë kemi sakrifikuar për këtë klub dhe mënyra si po bien është e dhimbshme. Nëse do të ishte ndonjë konkurrencë e fortë në Superligë por realisht klubi u dorëzua diku 15 xhiro përpara, kjo të jep përshtypje që ka qenë plan i organizuar nga grupet e njerëzve ose politikës”.
I pyetur për fajtorët që Drenica ka rënë në këtë pozitë, Lushtaku theksoi se ka dyshime se një grup i njerëzish me qëllim e kanë shkatërruar klubin duke dashur ta largojnë nga elita e futbollit kosovar.
“Fajtorët janë tre ose katër: Keqmenaxhimi, keqorganizimi, ndërhyrjet politike edhe njerëzit e gabuar në momentin më kritikë. Njerëzit e gabuar si në pjesën e kryesisë ashtu edhe në stafin e trajnerëve edhe një pjesë e futbollistëve, pra kanë transferuar shumë futbollistë këtë vit, mbi 20, pra kanë bërë eksperimente. Drejtori sportiv (Taulant Dajaku) ka manipuluar shumë në televizione kinse kemi me arrit me i ulë shpenzimet”.
“Ndoshta kanë një qëllim tjetër, ku unë i kam dyshimet e mia – shpresoj të mos jetë ajo por do të dihet çështja e stadiumit, që vërtetë është e dhimbshme nëse është një nga arsyet. Kam hamandje që qëllimisht e kanë shkatërruar dhe larguar nga Superliga”.
Ai në fund la të hapur mundësinë që sërish ta marrë drejtimin e klubit, mirëpo vetëm nëse në krye vijnë disa persona seriozë me projektin e duhur.
“Unë realisht e kam sakrifikuar tërë karrierën time për klubin sepse gjithmonë kam pasur dëshirë ta shoh Drenicën që përmes Kupës ose Kampionatit ta kapim Evropën, por siç duket dikë e ka penguar. Ndoshta për shkak të individëve të caktuar edhe klubi është shkatërruar. Kur e mora klubin para dy viteve me disa kolegë kemi qenë në rrugë të mbarë që klubin ta organizojmë edhe me rezultate ishte mirë, por nuk patëm përkrahje as nga donatorët, as nga komuna as nga politika. Klubi ishte në momentet më të mira edhe ka pasur një grup fantastik të futbollistët, ku me tre apo katër përforcime do të dilnim në Evropë”.
“Unë kam menduar edhe sivjet se klubi ka me u riorganizuar dhe ta ruajë atë fond të futbollistë, ku me disa gjëra s’jam pajtuar edhe kam dhënë dorëheqje shkaku i ndërhyrjeve politike e disa individëve të caktuar që kanë interesa personale. Kanë pru disa djem, nipa e kushëri por më mirë të mos flas. Nëse del dikush del e më bind se ka seriozitet, unë do t’ia jepi edhe një mundësi vetes”, përfundoi ai për Nacionale.
Drenica edicionin tjetër do të garojë në Ligën e Parë, kurse mbetet për t’u parë në cilin grup.