Tahir Batatina: Pas dy humbjeve radhazi, koha për luftë të vërtetë - NACIONALE

Tahir Batatina: Pas dy humbjeve radhazi, koha për luftë të vërtetë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Llapi nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës, duke pësuar humbje nga Prishtina e Drita. Trajneri llapjan, Tahir Batatina, ka thënë se pas këtyre dy humbjeve radhazi është koha për luftën e vërtetë.

Llapjanët u mposhtën në shtëpinë e tyre nga Prishtina gjatë fundjavës së kaluar me rezultat 2:0, e gjithashtu me të njëjtin rezultat u mposht edhe dje nga Drita në Gjilan.

Batatina thotë se këto dy ndeshje nuk përkuan me realitetin, sepse krijuan raste dhe dominuan, por iu mungonte fati, ndërsa ka besim të plotë se në fund të sezonit së bashku me mbështetësit e tyre do të festojnë në stadiumin Zahir Pajaziti.

Statusi i plotë i Tahir Batatinës:

Dy humbjet e fundit nuk kanë qenë reale sepse krijuam shumë raste dhe dominuam por na mungoi fati, megjithatë nuk shqetësohem fare sepse kam besim të plotë se me ju së bashku në fund do të festojmë me “Ultras Legjendat” por kësaj radhe festa do të mbahet në stadiumin “Zahir Pajaziti” aty ku filluan karrierën shumë Legjenda të futbollit dhe aty ku dua të shkruajmë histori së bashku me Ultras Legjendat dhe të gjithë qytetarët e Llapit dhe Gollakut. Forca djema, tash ka filluar lufta e vërtetë ⚪️🔵⚽️⚽️🏆

Me këto dy humbje radhazi, llapjanët mbetën prapa në garën për vendin e tretë – vendi i fundit që dërgon në Evropë – pasi siç duket për pozitën e parë do të luftojnë vetëm dy skuadra, Drita dhe Ballkani.

Skuadra e Batatinës gjendet në pozitën e pestë me 29 pikë të grumbulluara në 23 takime dhe ka Prishtinën përpara me 22 ndeshje e 30 pikë e Gjilanin me 38 pikë në 23 ndeshje.

Lajme të ngjashme