Batatina pas disfatës së Llapit: Nuk ishte dita jonë, ishim të lodhur nga ndeshja e kaluar
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas humbjes ndaj Prishtinës në Podujevë tha se skuadra e tij nuk ishte në ditën më të mirë të saj dhe në këtë ndikoi lodhja nga ndeshja e kaluar. Ai e mohoi gjithashtu se ky rezultat erdhi si ndikim nga lajmet për akuzat ndaj Llapit për kurdisje, duke thënë se ai dhe skuadra do të merren vetëm me futboll.
Sipas Batatinës, momenti kyç i humbjes ishte goli i dytë i ardhur nga gabimi i portierit si dhe rastet e pashfrytëzuara, duke shtuar tutje se kishte pritur që pas një serie pozitive të vinte humbja apo barazimi.
“Jemi munduar ta përgatisim ndeshjen mirë. Në pjesën e parë patëm rastet tona dhe nuk i shfrytëzuam. Pranuam gol shumë të lehtë e më pas në golin tjetër portieri bëri gabim, gol që na qiti prej pozicionit. Në pjesën e dytë u munduam të bënim maksimumin, i patëm dy raste paralel me portën, nuk bëmë gola, kur ke aso raste dhe nuk shënon është vështirë të vish deri te fitorja. Sidoqoftë ne bëmë maksimumin, dhamë gjithçka nga vetja, lodhja nga ndeshja në Dukagjin ka ndikuar, sido që të jetë kampionati është i gjatë. Kemi pasur një seri pozitive me katër ndeshje pa humbje, por edhe humbja është pjesë e futbollit. Ngarkesa dhe lodhja në ndeshjen e kaluar ka ndikuar, gjithashtu nuk kemi qenë në ditën tonë, por ne do të vazhdojmë të punojmë për ndeshjen e radhës.”
Ndërsa për akuzat ndaj skuadrës së Llapit për kurdisje të ndeshjeve, trajneri i skuadrës nga Podujeva e mohoi se ka ndikuar te futbollistët, duke thënë se ne merremi veç me futboll dhe nuk jemi ndikuar nga ato lajme, por shkaktar ka qenë vetëm lodhja nga ndeshja e kaluar.

“Sa i përket asaj, ne dhe skuadra nuk merremi me atë pjesë fare. Portalet e gazetat këtë punë kanë. Ne jemi marrë veç me ekipin. Ne do të merremi veç me pjesën që na takon, do të bëjmë maksimumin, do të përgatitemi për ndeshjen e radhës, do të japim gjithçka nga vetja, mendoj që skuadra sot nuk pati ditën e vet. Unë e kam ditë që pas katër fitoreve mund të vjen edhe barazimi e humbja, por do të mundohem që në ndeshjen e radhës të paraqitemi më mirë kundër Dritës, të marrim rezultat pozitiv dhe të jemi prapë në pozitë tabelore sa më lartë, duke e ditur që jemi afër pozitës së tretë. Është ende herët, por mendoj që kemi mjaftueshëm fond të lojtarëve që t’ia dalim në ndeshjet e radhës.”
