Drita ia shkakton humbjen e radhës Llapit, Gjilani fiton në udhëtim te Dukagjini, Drenica shënon fitoren e parë në vitin 2023
Sot janë zhvilluar tre ndeshjet e para të javës së 23-të të Superligës së Kosovës. Drita ia shkaktoi humbjen e dytë me radhë Llapit me rezultat 2:0, Gjilani fitoi me shumë mund në udhëtim te Dukagjini, ndërsa Drenica arriti fitoren e parë në vitin 2023 ndaj Ferizajt.
Me këtë fitore, Intelektualët vazhdojnë ndjekjen e pozitës së parë që mbahet nga kampioni në fuqi Ballkani, gjithashtu Gjilani ka përforcuar pozitën e tretë, ndërsa Drenica përkohësisht ka arritur të dalë nga dy pozitat që dërgojnë automatikisht në Ligën e Parë.
Drita – Llapi
Ndeshja e zhvilluar në Gjilan në fushën me bari sintetik ishte shumë e barabartë nga dy skuadrat, me Llapin që ishin për një nuancë më të mirë në pjesën e parë, e me Dritën që mori lojën në menaxhim në pjesën e dytë.
Goli i parë i takimit erdhi menjëherë me të filluar pjesa e dytë, ku pas një harkimi të mbrojtësit Ilir Blakçori, Kushtrim Shabani shënoi autogol për rezultatin 1:0 për Dritën.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Almir Ajzeraj në minutat shtesë për rezultatin 2:0.
Me këtë rezultat përfundoi takimi. Drita vazhdon të mbetët e dyta në tabelë, me një pikë më pak se Ballkani që ka një ndeshje më pak, ndërsa Llapi do të vazhdojë të mbetet të paktën edhe këtë javë në vendin e pestë.
Dukagjini – Gjilani
Skuadra nga Klina, Dukagjini, po shkakton jo pak probleme për kundërshtarët në këtë rifillim të sezonit. Këtë ia ka bërë edhe Gjilanit, që me shumë mund ka arritur të dalë me fitore nga stadiumi 18 qershori.
Goli i vetëm që vendosi fatin e takimit ishte ai i Mevlan Zekës i shënuar në fund të pjesës së parë, që ia dhuroi gjilanasve tre pikët e plota.
Gjilani ndonëse ka një ndeshje më shumë se Prishtina, tani epërsia është rritur në tetë pikë, duke përforcuar pozitën e tretë, që është vendi i fundit që dërgon në gara evropiane, ndërsa Dukagjini mban pozitën e gjashtë të paktën deri nesër.
Drenica – Ferizaj
Drenica po kalon ditët më të vështira në vitet e fundit. Skuadra nga Skenderaj nuk dinte për fitore në Superligën e Kosovës që nga 12 nëntori. Këtë e arriti sot në duelin e skuadrave të fundit të tabelës, ku e mposhti Ferizajn me rezultat 1:0.
Goli i vetëm u shënua në minutën e 55-të nga Bistsouka Koxy, që tani drenicasit i largon nga pozitat e fundit, për t’u ngritur në vendin e tetë, ndërsa Ferizaj kthehet sërish në pozitën e fundit.