Tahir Batatina: Duam ta nisim mbarë kampionatin, kemi eksperiencën e duhur për ta fituar sërish Superkupën e Kosovës - NACIONALE

Tahir Batatina: Duam ta nisim mbarë kampionatin, kemi eksperiencën e duhur për ta fituar sërish Superkupën e Kosovës

1 vit më parë

nga Edonis Bytyqi

Llapi është gati për edicionin e ri dhe do të luftojë për Superkupën e Kosovës, kështu tha trajneri Tahir Batatina gjatë një bisede për gazetën Nacionale.

Skuadra nga Podujeva edicionin që lamë pas fitoi Kupën e Kosovës dhe mbaroi edicionin si pozitë e katërt në tabelë, duke siguruar daljen në Evropë, por që u eliminuan në raundin e parë kualifikues ndaj skuadrës malazeze Buducnost me rezultat të përgjithshëm 2:4.

Sidoqoftë, Batatina për Nacionalen bëri të ditur se është i lumtur me fazën parapërgatitore dhe që transferimet e reja janë adaptuar mirë.

“Jam shumë i kënaqur me fazën përgatitore të skuadrës. Lojtarët e transferuar te Llapi janë adaptuar shumë mirë dhe jam i kënaqur me ta, sidomos me dy talentët e rinj: Albion Kurtaj dhe Andi Stafa”.

No description available.

I pyetur për objektivat, Batatina ishte shumë i qartë duke deklaruar se Llapi gjithmonë do të garojë për pozitat kryesore.

“Llapi gjithmonë synon pozitat e larta në tabelë dhe në këtë kampionat njëjtë do të vazhdojmë”.

Ai gjithashtu i mbylli derën ndonjë nënshkrimi të ri, duke u shprehur i lumtur me skuadrën momentale.

“Jam shumë i lumtur me lojtarët e transferuar, prandaj nuk do të bëjmë lëvizje të tjera”.

Batatina nuk hezitoi të flet shkurtimisht edhe për ndeshjen e parë ndaj Drenicës, ku e vlerësoi si sfidë të vështirë, por beson që do t’ia nisin edicionit 2022/23 me fitore.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, por do të japim maksimumin që të nisim mbarë kampionatin”.

Në fund, Batatina komentoi Superkupën e Kosovës që do ta kenë përballë Ballkanin (fituesin e titullit), por është i sigurt se kanë eksperiencën e duhur që ta rimbrojnë trofeun që e fituan edhe vitin e kaluar.

“Do të jetë një ndeshje e mirë mes dy skuadrave që e kërkojnë trofeun e Superkupës, por mendoj se ne kemi eksperiencën e duhur për këso ndeshjes dhe besoj se prapë do ta ngrisim trofeun e Superkupës”, shtoi Batatina për Nacionalen.

No description available.

Kujtojmë, se Llapi deri më tani nën urdhrat e Batatinës ka fituar dy trofe, që janë njëkohësisht të vetmet në historinë e klubit, pra Kupën dhe Superkupën e Kosovës.

Skuadra kosovare edicionin 2022/23 e nis këtë të diele, si mysafir i Drenicës me fillim nga ora 17:00.

Lajme të ngjashme