Sylvinho: Ndaj Çekisë duhet të japim maksimumin, kemi edhe tre finale deri në fund
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka mbajtur sot konferencë për shtyp, para përballjes me Çekinë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, ku ka thënë se në këtë sfidë të gjitha repartet duhet të japin maksimumin dhe se deri në fund të rrugëtimit të tyre kanë edhe tri finale.
Shqipëria fillimisht zhvillon ndeshjen me Çekinë e vlefshme për kualifikime në Evropian dhe pastaj një miqësore me Bullgarinë, të dy këto ndeshje zhvillon në Air Albania Stadium.

I pyetur për mënyrën e lojës, se a do të sulmojnë, apo do të luajnë lojë me defensive, trajneri i kuqezinjve u shpreh: “Ne akoma nuk kemi nisur grumbullimin, ndoshta që nga e diela do kemi lojtarët, të hënën kompletohemi dhe do kemi mundësi të flasim për shumë gjëra. Kjo nuk është një ndeshje ku mund të themi do luani më shumë në sulm apo mbrojtje por për 90 minuta duhet të luajmë dhe në sulm dhe në mbrojtje është një ndeshje që kërkon shumë energji dhe impenjim, por do ta shohim. Kemi edhe tre finale para dhe duhet të japim maksimumin.”
Gazetarët e ngacmuan paska trajnerin, duke e pyetur se a i ka kërkuar ndokush bileta për ndeshjen, pasi që dihet interesimi i lartë për të qenë në Air Albania më 12 tetor, me Sylvinhon që tha: “Sa i përket batutës apo pyetjes është bukur të shohësh që të gjithë duan të jenë në stadium, kjo do të thotë që lojtarët kanë bërë një punë shumë të mirë. Unë nuk kam asnjë punë me biletat, por di që gruaja ime thotë që do jetë aty. Puna ime lidhet vetëm me fushën, që të bëjmë mirë ndaj Çekisë.”
Ai foli edhe për gjendjen psikologjike të lojtarëve, para ndeshjes së madhe që pret kuqezinjtë.

“Bëhet një punë e madhe nga ne si staf, nuk është si në klube që ke kontakt çdo ditë me lojtarët. Është e rëndësishme që të takojmë lojtarë dhe të flasim me lojtarët. Prandaj kemi bërë një turn për të takuar lojtarët. Gjithçka ka shkuar mirë. Kemi takuar lojtarë, shoh një organikë të lumtur dhe të vetëdijshme që kemi bërë mirë deri këtu. E dinë që deri këtu na ka sjellë zemra, sakrifica dhe djersa e tyre, ne i kemi dhënë një drejtim dhe kjo është forca jonë. Nuk mund të lëvizim më shumë, jemi të lumtur për popullin tonë. Janë forca jonë. Ka shumë zemër, por lojtarët e dinë se kanë edhe shumë për të djersitur”.

Tutje, Sylvinho thotë se llogaritë për kualifikim bëhen në nëntor dhe jo tani në prag të ndeshjes me Çekinë.
“Llogaritë bëhen në nëntor, është një grup i vështirë dhe i ekuilibruar. Nuk është e lehtë. Në këtë moment nuk mund të bëhen llogari, në nëntor po. Është një ndeshje e vështirë, do të luajmë para njerëzve tanë në një atmosferë të nxehtë dhe të vështirë. Mund të ndodhë gjithçka, kemi kampionë në fushë. Kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën, por nuk e dimë. Një ndeshje e vështirë që zgjat 90 minuta dhe duhet ta përgatisim mirë, por llogaritë në nëntor”.

Ndeshja e parë zhvillohet më 12 tetor në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, ndërsa miqësorja me Bullgarinë pesë ditë më vonë, pra më 17 tetor.
