Superliga vazhdon me dy përballjet e radhës, vëmendja në Gjilan te ndeshja kryesore e javës
Pasi u zhvilluan tri ndeshjet e para dje të javës së 15-të, sot përmbyllet kjo xhiro me dy ndeshje mjaftë interesante, ku vëmendja është në Gjilan në përballjen direkte për vendin e parë, Drita – Ballkani, ndërsa në ndeshjen tjetër Llapi e pret Ferizajn.
Dukagjini bëri dje një hap shumë të madh në luftën për mbijetesë duke mposhtur rivalin direkt të pjesës së poshtme të tabelës me rezultat bindës 4:0, teksa Trepça’89 fitoi me një gol të vonshëm ndaj Drenicës.
Ndërsa ndeshja kryesore e ditës së shtune u zhvillua në një orar tjetër, ku Prishtina e Gjilani barazuan 2:2 në kryeqytet.
Sot elita e futbollit kosovar do të na ofrojë një nga takimet më interesante të viteve të fundit, dy skuadrat që luftojnë për kreun e tabelës.
Në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan përballen Drita e Ballkani, vendi i parë me vendin e dytë, pas 14 javëve të zhvilluara.

Intelektuakët vijnë në këtë ndeshje pas një humbje të hidhur një javë më parë nga Llapi, ku u mposhtën 4:1 me të gjitha golat e pjesës së parë, teksa krahas kësaj humbje ka edhe një humbje tjetër e tri fitore në pesë ndeshjet e fundit të zhvilluara në Superligë.
Xhebrailat në anën tjetër të zënë deri më tani me rrugëtimin në Evropë, kanë zhvilluar më pak takime, saktësisht tri më pak se lideri Drita. Në pesë ndeshjet e fundit në Superligë ata nuk dinë për humbje, me tri fitore e dy barazime, me ndeshjen e fundit ku ndau pikët me Dukagjinin.
Në ndeshjen e parë në këtë sezon mes dy skuadrave, triumfoi Drita me fitore të pastër 2:0, ndërsa në 14 ndeshjet e fundit rekord më të mirë kanë suharekasit me shtatë fitore të tyre, teksa katër i kanë fituar gjilanasve e në tre takime tjera janë ndarë pikët.
Drita pozicionohet e para në tabelë me 13 pikë pas 14 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Ballkani në ndjekje të saj me 26 pikë, por ka tre ndeshje më pak të zhvilluara.
Në anën tjetër, Llapi në Zahir Pajaziti pret Ferizajn e pashpresë.

Skuadra e Tahir Batatinës vjen në këtë ndeshje pas fitores së thellë ndaj Dritës, e motivuar edhe për tre pikët e radhës, që do ja mundësonin lëvizjen nga vendi i gjashtë në të pestin, ndërsa Ferizaj gjendet e vetme në fundin e tabelës, ku pas 14 ndeshjeve ka grumbulluar vetëm nëntë pikë.


