Llapi e shkatërron Dritën, Gjilani në frymën e fundit merr pikët e plota ndaj Dukagjinit - NACIONALE

Llapi e shkatërron Dritën, Gjilani në frymën e fundit merr pikët e plota ndaj Dukagjinit

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Në pasditen e së dielës janë zhvilluar dy ndeshjet përmbyllëse të javës së 14-të të Superligës së Kosovës. Në ndeshjen kryesore të javës, Llapi e ka shkatërruar plotësisht liderin aktual, Dritën, me rezultat 4:1, ndërsa në anën tjetër Gjilani vetëm në pesë minutat e fundit ka arritur të marrë pikët e plota ndaj Dukagjinit, me rezultat 1:0.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë dha një nga ndeshjet më të mira të sezonit për Llapin, në ndeshjen ku kishte përball nënkampionin dhe liderin aktual të Superligës së Kosovës.

Llapi në çdo moment të ndeshjes ishte më e mirë se mysafirët duke i shënuar katër gola dhe të gjithë në pjesën e parë.

Epërsinë fillestare në këtë ndeshje e solli Drilon Fazliu në minutën e nëntë pas një asistimi shumë të bukur nga Festim Alidema.

May be an image of 6 people, people playing football, people standing and outdoors

Nuk vonoi shumë dhe Drita u kundërpërgjigj me gol, ishte Marko Simunovski, ai që shënoi lehtësisht në portën bosh pas harkimit të Besnik Krasniqit në minutën e 17-të.

Në vazhdim të ndeshjes në fushë ishte vetëm një skuadër, ajo e Llapit që vijoi me tre gola tjerë të shënuar.

May be an image of 6 people, people standing, people playing sports and grass

Fillimisht epërsinë e riktheu Bianor Neto në minutën e 26-të, pas një tollovie ku portieri Faton Maloku bëri një gabim në dalje e Ilir Krasniqi preku topin për të dërguar te mbrojtësi që lehtësisht shënoi për 2:1.

12 minuta më vonë epërsia u rrit në 3:1, ku Kushtrim Shabani shënoi e asistues ishte sërish Festim Alidema.

Me kaq Llapi nuk u ndal, ishte sërish Alidema që asistoi – për herë të tretë në këtë ndeshje – e kësaj radhe e gjeti shumë bukur Francisco Riveran që ballë për ballë me portierin në minutën e 42-të nuk gaboi dhe shënoi për 4:1.

May be an image of 6 people, people standing, people playing sports and outdoors

Në vazhdim të pjesës së dytë gola nuk pati, por Llapi kishte disa raste me anë të Festim Alidemës që godiste nga distanca, por që disa herë intervenoi mirë Maloku, ndërsa në anën tjetër vlen të cekët një paraqitje e mirë e Ilir Avdylit, portierit të Llapit që pati disa intervenime shumë të mira në këtë ndeshje.

Drita me këtë humbje ia vështirëson vetës punët edhe pse ende është në krye por tani me tre ndeshje më shumë se Ballkani ka vetëm katër pikë më shumë, ndërsa Llapi mbetet aty ku ishte në vendin e gjashtë por tani me 16 pikë dhe ia afrohet Drenicës së vendit të pestë me 17 pikë, skuadër kjo që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Në ndeshjen tjetër në Gjilan, skifterët arritën një fitore të vonshme ndaj Dukagjinit, duke iu rikthyer rrugës së fitoreve.

Skuadra e Zekirija Ramadanit ishte më e mirë gjatë tërë takimit duke kërkuar fitoren me çdo kusht, ndërsa Dukagjini më shumë u mbrojt, dhe në rastin e parë për shënim erdhi vetëm në pjesën e dytë me anë të Otto John, i cili goditi shtyllën.

May be an image of text

Fitoren skifterëve ia dha Arbnor Ramadani me një gol shumë të bukur të shënuar në minutën e 85-të të takimit.

Tani Gjilani lëviz në pozitën e tretë, duke e kaluar Prishtinën për një pikë por kryeqytetasit kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Dukagjini mbetët në pozitën e tetë me 12 pikë.

Tabela pas javës së 14-të

Lajme të ngjashme