Superliga rikthehet këtë fundjavë: Çfarë të presim - NACIONALE

Superliga rikthehet këtë fundjavë: Çfarë të presim

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Superliga vendore të do të rikthehet këtë fundjavë me disa ndeshje vendimtare në luftën për titull, pas një pushimi pothuajse dyjavor si pasojë e ndeshjeve të ekipit kombëtar të Kosovës në fund të marsit.

Java e 27-të do të nisë sot me përballjen mes Dukagjinit dhe Malishevës. Ndërsa në fundjavë do të zhvillohen katër ndeshje të tjera, Prishtina - Llapi dhe Ulpiana - Drita të shtunën, si dhe Gjilani - Ballkani e Drenica - Feronikeli të dielën.

Çfarë të presim nga java e 27-të

Përqendrimi kryesore i kësaj jave është në Gjilan të dielën pasdite, ku Gjilani e pret liderin Ballkanin në një ndeshje që mund të jetë përcaktuese në garën për titull.

Ballkani e ka krijuar tashmë një epërsi prej pesë pikëve ndaj skuadrës së Ismet Munishit në krye të tabelës dhe një fitore e mundshme do ta shkëpuste atë dukshëm nëntë ndeshje para fundit të sezonit.

Klubi nga Suhareka i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit, duke treguar formën shumë të mirë se Gjilani, i cili ka qenë tejet i luhatshëm dhe e ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, përfshirë tri barazime në tri të fundit.

Derisa forma e tanishëm e bën Ballkanin favorit, Gjilani është i pamposhtur ndaj liderit këtë sezon, pasi në dy përballjet e deritanishme ka një fitore dhe një barazim.

Ndërkohë, Dukagjini dhe Malisheva do të përballen në Klinë në atë që do të jetë një betejë e rëndësishme për fatin e tyre në luftë për mbijetesë në ligën elitare kosovare. Të dy skuadrat kanë shfaqur formë të mirë në pesë ndeshjet e fundit gjë që do ta bëjë edhe më interesant duelin mes tyre.

Skuadra e Armend Dallkut është në zonën e rënies nga liga me 29 pikë, tri pikë larg zonës së shpëtimit, pavarësisht se i ka fituar tri dhe ka barazuar në dy nga pesë ndeshjet e fundit.

Malisheva e Arsim Thaqit, ndërkohë, është ngjitur në vendin e pestë në tabelë, falë tri fitoreve radhazi dhe një barazimi në katër ndeshjet e fundit, megjithëse është vetëm katër pikë larg kundërshtarit të sotëm.

Ndeshja më interesante e së shtunës do të jetë mes Llapit dhe Prishtinës. Me të parin që synon top treshen për të dalë në Evropë për herë të dytë radhazi dhe me kampionin në fuqi që ndodhet shumë më afër rënies nga liga se kreut të tabelës.

Klubi nga Podujeva, i udhëhequr nga Tahir Batatina, nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit në ligë, pasi i ka humbur dy dhe ka barazuar në dy të tjera, dhe ngel pesë pikë larg vendit të tretë, i cili dërgon në kualifikime për Europa Conference League.

Prishtina do të kërkojë ta shfrytëzojë formën e dobët të Llapit në javët e fundit për t’u ngritur në pjesën e sipërme të tabelës, pasi renditet e gjashta me 32 pikë, vetëm tri pikë larg zonës së rënies në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Në përballjen tjetër të së shtunës, Drita e viziton Ulpianën në atë që pritet të jetë një fitore e lehtë për skuadrën e Ardian Nuhiut.

Ulpiana është e parafundit në tabelë me 24 pikë, tetë pikë larg zonës së shpëtimit, dhe nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit.

Megjithëse as gjilanasit nuk mund të mburren për formën e tyre të pesë javët e fundit, pasi humbën dy herë dhe barazuan dy herë të tjera para se ta mposhtnin kampionin në fuqi, atë janë favoritë të pastër ndaj klubit nga Lipjani.

Mbase Drenica është skuadra nga e cila pritet më së shumti të dalë me tri pikë nga java e 27-të, duke e ditur se do të përballet me Feronikelin, dikur kampionin e Kosovës që sot luan me lojtarët e rinj të akademisë për shkaqe financiare. Klubi nga Skenderaj është vetëm tri pikë larg zonës së rënies nga liga.

Nikli i ka vetëm tri fitore nga 26 ndeshje këtë sezon dhe është e fundit në tabelë pa shpresa për mbijetesë.

Lajme të ngjashme