Superliga: Prishtina barazon me Ballkanin falë një penalltie në kohën shtesë, në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor
Sot është zhvilluar edhe ndeshja e fundit e mbetur e sezonit vjeshtor, ndërmjet Ballkanit e Prishtinës, me kamponin në fuqi që nuk arriti ta mbante epërsinë e hershme për të barazuar 1:1, kështu duke mbetur e dytë në Superligën e Kosovës pas 18 ndeshjeve të para.
Kjo ndeshje i takonte javës së 14-të, që për shkak të angazhimit të Ballkanit në Ligën e Konferencës nuk u zhvillua deri më tani.
Ballkani ishte më e mirë përgjatë 90 minutave të takimit, duke krijuar raste vazhdimisht e gjithashtu duke kontrolluar tempon e lojës, por një pakujdesi e Bajram Jashanicës në fund, i kushtoi kampionit me barazim 1:1.

Vlen të ceket se suharekasit për afër 30 minuta zhvilluan ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Albion Rrahmani u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve.
Pjesa e parë ishte krejtësisht e dominuar nga kampioni aktual i Superligës së Kosovës, që krijoi gjashtë raste shënimi, por vetëm një goditje shkoi në rrjetë.
Ishte goditja e kapitenit Edvin Kuc, nga një distancë e largët, që me ndihmën edhe të terrenit të lagësht shënoi në këndin e poshtëm të portës së Ardit Nikës për 1:0 në minutën e 11-të.
Katër minuta pa përfunduar pjesa e parë, Meriton Korenica rrezikoi me një goditje nga larg, por kësaj radhe në vend ishte Nika.
Prishtina krejt çka bëri në 45 minutat e para ishin dy goditja larg portës dhe asnjë në drejtim të Stivi Frashërit.
Edhe pjesa e dytë për pjesën më të madhe, Ballkani ishte më e mirë, madje një herë rrezikuan shumë me anë të Nazmi Gripshit ta dyfishonin epërsinë, por Ardit Nika e mbajti në lojë Prishtinën.
Në minutën e 60-të, Albion Rrahamani u ndëshkua me të kuq, pas kartonit të dytë të verdhë, pasi paraprakisht gjyqtari kryesor pa një ndërhyrje të ashpër të tij në lojtarin e fundit të kryeqytetaseve.
Prishtina nuk arriti të krijonte pothuajse as edhe një rast që ta rrezikonte portën e Ballkanit, ndërsa suharekasit tentuan edhe një herë në fund, por Nika sërish priti, duke qenë më meritori pse Prishtina mbeti në lojë deri në fund të takimit.
Skuadra nga kryeqyteti barazoi rezultatin në minutat shtesë të takimit pas një penalltie të akorduar pas shikimit të rastit në VAR, ku Uka u tregua i saktë për rezultatin 1:1.
Me këtë barazim, Ballkani mbetet e dyta në tabelë pas pjesës së parë të kampionatit, me pikë të barabarta me liderin, por Drita ka rezultat më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, ndërsa Prishtina e Gjilani ndajnë pozitat tre dhe katër po ashtu me pikë të barabarta.

Kujtojmë që pjesa e dytë e kampionatit fillon më 11 shkurt të vitit 2023.
