Superliga e Kosovës ia sheh ‘hajrin’ paraqitjeve të mira të klubeve tona në Evropë, ngritët gjashtë pozita në renditjen e UEFA-s
Paraqitjet e mira të klubeve tona në Kosovë sidomos Ballkanit, ka bërë që Superliga e Kosovës të ketë ngritje për gjashtë pozita në renditjen e UEFA-s.
Ballkani bëri historinë duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që prek fazën grupore të ndonjë kompeticioni evropian, pasi siguroi kualifikimin për në Ligën e Konferencës.
“Xhebrailat” të enjten e kaluar eliminuan Shkupin në raundin e play-off me rezultat të përgjithshëm 3:1 për të siguruar fazën e grupeve.
Kështu, në renditjen e fundit të UEFA-s është parë që Superliga e Kosovës ka pasur ngritje për gjashtë pozita, ku tani renditët në vendin e 33-të.
Vlera e një kampionati llogaritet nga shuma e koeficienteve vjetorë individualë të 5 viteve të fundit. Aktualisht kampionati i Kosovës vlerësohet me 10,291 pikë.
Falë kualifikimit në fazën e grupeve Ballkani ka arritur koeficientin 5,5, teksa Drita vlerësohet me koeficientin 1,5, Gjilani është me koeficientin 1 dhe Llapi me koeficientin 0,5.

Arritja e jashtëzakonshme e Ballkanit në Evropë
Në fillim askush nuk e mendonte që një gjë e tillë do të bëhej realitet, por Ballkani bëri historinë duke prekur fazën e grupeve.
Fillimisht skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u eliminua nga Zalgiris në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, gjë që ndikoi të binte direkt në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Por pastaj, nisi këndellja kur nuk bën më asnjë gabim për ta realizuar ëndrrën. Fillimisht demoluan kampionin e San Marinos, La Fiorita me rezultat të thellë 10:0.
Në raundin e tretë kualifikues përballë kishin skuadrën nga Ishujt Faroe, Kl-Klaksvik që doli një problem i vështirë por në fund avancuan falë penalltive 4:3, pasi rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve doli të jetë 3:3.
Ndërsa, në play-off u përballë me klubin nga Maqedonia e Veriut, FC Shkupin, të cilën e kishte mposhtur edhe në miqësore.
Fillimisht, Ballkani fitoi në udhëtim me rezultat 1:2, derisa pastaj në “Fadil Vokrri” para një stadiumi të plotë me mbi 10 mijë tifozë triumfuan me rezultat të ngushtë 1:0 për të avancuar tutje.
Dje, kampioni i Kosovës mësoi edhe kundërshtarët në grup, ku ka disa skuadra të vështira, por nuk është një short i pakalueshëm.
Ballkani u gjend në grupin G me skuadrat të njohura si Slavia Praha, CFR Cluj dhe Sivasspor.
Në ndeshjen e parë, skuadra kosovare do të luajë ndaj skuadrës së Slavia Praha, më saktësisht më 8 shtator, derisa një javë më vonë do të përballet me Cluj.

