Sterling te Chelsea çështje e kryer, arrihet marrëveshja mes dy klubeve - NACIONALE

Sterling te Chelsea çështje e kryer, arrihet marrëveshja mes dy klubeve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Raheem Sterling mund të quhet lojtar i Chelseat. Kështu bëjnë të ditur lajmet e fundit që vijnë nga mediumet e besueshme angleze.

Ka një vit që Raheem Sterling nuk ishte më i paprekshëm te formacioni i Manchester Cityt. Sulmuesi këmbëshpejtë 27-vjeç vendosi që ta shqyrtojë mundësinë për t'u larguar drejt një ambienti tjetër, aq më shumë pasi kontrata e tij me kampionin aktual anglez skadon vitin tjetër.

Chelsea menjëherë u interesua për kartonin e tij. Negociatat mes dy klubeve kanë filluar tani e disa ditë. Shumë shpejt është gjetur ujdia mes klubit londinez dhe Raheem Sterling rreth kushteve personale. E vetmja gjë që mbetej për t'u rregulluar ishte gjetja e një kompromisi mes dy klubeve për shifrën që nevojitej, për ta bërë të mundur kalimin e sulmuesit anësor anglez në "Stamford Bridge".

Gjatë mbrëmjes së sontme, palët kanë arritur marrëveshje rreth çmimit të kartonit të lojtarit. Siç bën të ditur gazetari i The Athletic, David Ornstein, klubet kanë arritur marrëveshjen gjatë orëve të fundit. Chelsea do t'i paguajë Manchester Cityt plot 55 milionë euro, pa përfshirjen e bonuseve, për ta liruar Sterlingun që të federohet si lojtar i tyre.

Sulmuesi 27-vjeçar pritet që t'u nënshtrohet testeve mjekësore shumë shpejt. Chelsea është duke punuar për një gjë të tillë nga plani logjistik, për ta kryer sa më parë këtë procedurë. Skuadra londineze tek sot është nisur drejt SHBA-ve, ku do t'i luajë tre miqësore në dy javët e ardhshme. Drejtuesit e Chelseat janë optimistë se Raheem Sterling do të mund t'i bashkohet pjesës tjetër të ekipit në SHBA gjatë ditëve në vijim.



Chelsea dhe Manchester City janë në komunikim edhe rreth një lojtari tjetër. Fjala është për qendërmbrojtësin Ake. Tuchel në vazhdën e përgatitjes për sezonin e ri, ka këmbëngulur që t'i ketë pjesë të ekipit të dy lojtarët e Manchester Cityt, Sterling dhe Ake.

Edhe afrimi i Akes pritet të ndodhë shumë shpejt, pasi vetëm disa detaje të vogla kanë mbetur për t'u zgjidhur.



Për sa i takon Raheem Sterling, kjo do të ishte skuadra e tretë e madhe në Premierligë ku ai do të aktivizohej. Më herët ka qenë pjesë e Liverpoolit, pastaj e Manchester Cityt, ndërsa tani do të jetë në gjirin e skuadrës së Chelseat. Te Liverpool iu afrua titullit në 2014-en, por ishte pikërisht Chelsea i Mourinhos ai i cili, në ndeshjen e famshme të prillit të vitit 2014 mposhti skuadrën nga Merseysuide në "Anfield Road" dhe bëri që titulli të kalonte te Manchester City.

Pastaj, me t'iu bashkuar Manchester Cityt, ai ka fituar gjithçka që ishte e mundshme, përveç Ligës së Kampionëve, gjegjësisht Botërorit për klube.

Raheem Sterling në Premierligë ka zhvilluar 320 paraqitje, ku mes tjerash ka shënuar 109 gola. Shifra e golave të shënuar do të ishte dukshëm më e lartë, në qoftë se ai do të ishte më klinik para portës, gjë e cila iu ka kthyer në bumerang shpesh.

Lajme të ngjashme