Spalletti: Allegri kot fshehët pas vendit të 4-t, investimet që ka bërë janë të denja për ta fituar Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Spalletti: Allegri kot fshehët pas vendit të 4-t, investimet që ka bërë janë të denja për ta fituar Ligën e Kampionëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luciano Spalletti ka folur në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes së madhe që do të luhet nesër kundër Juventusit. Ai nuk ngurroi për ta shigjetuar homologun e tij Max Allegri, duke thënë se vendi i katërt nga ai përdorët vetëm si pretekst.

Lojë nervash. Ndeshje titulli. Ndeshje që përcakton një sezon të tërë. Përshkrime të ngjashme e të tjera mund t’i jepen sfidës së nesërme që do të luhet në “Diego Armando Maradona” mes skuadrave që mbajnë dy pozitat e para në tabelë.

Kur Allegri foli në konferencë për shtyp gjatë ditës tha se Napoli ka më shumë për të humbur sesa vetë Juventusi, duke aluduar në faktin se ka premisat për ta fituar titullin.

Spalletti iu kundërpërgjigj nga konferenca për shtyp: “E kuptoj që për Allegrin është më e dobishme të luajë rolin e tillë, por me një Juventus të mbushur me lojtarë kampionë është e pamundur të fshehësh nga të qenët favorit. Disa investime që janë bërë shpaguhen vetëm nëse luan për ta fituar titullin në kampionat ose Ligën e Kampionëve. E kot është të luhet kjo lojë, pasi pozita e katërt nuk e kënaq Juventusin.”

Megjithatë, trajneri i Napolit tregoi respekt të madh për Allegrin, duke vlerësuar si një trajner më të mirë sesa ai vetë, sepse kështu e tregojnë edhe vetë titujt e fituar sipas tij.

“Ai është më i mirë. E tregon bagazhi i tij me titujt e fituar. Unë i përulem gjithë trofeve që ka fituar”, tha ai.

Napoli për momentin gëzon një epërsi prej 7 pikëve ndaj Juventusit, duke qenë kështu lider i tabelës në Serie A. Në rast të një fitore në ndeshjen direkte, atëherë më nuk do të ishte thjesht një ëndërr të diskutohet për rikthimin e titullit kampion në Napoli, pasi një gjë e tillë është opsion njëmend i mundur.

Lajme të ngjashme