Spalletti mbron Rrahmanin: Është njëri nga liderët tanë, bëri paraqitje të mirë kundër Interit
Luciano Spalletti i ka dalë në përkrahje mbrojtësit kosovar Amir Rrahmani. Trajneri italian e quajti kapitenin “dardan” edhe si njërin prej liderëve të skuadrës së Napolit.
Napoli pësoi humbjen e parë sezonale në mesjavë kundër Interit në “Giuseppe Meazza”, me të vetmin gol që u shënua në ndeshje, e që erdhi nga Edin Dzeko.
Mënyra se si u shënua ky gol, me sulmuesin boshnjak që u lirua në formë dinake nga mbulimi i Rrahmanit, zgjoi shumë reagime. Në adresë të Rrahmanit u hodhën shumë kritika. Për kosovarin kjo ishte paraqitja e parë në fushë pas tre muajve që qëndroi jashtë saj, si pasojë e lëndimit në kofshë nga ndeshja kundër Cremonese në udhëtim.
Sido që të jetë, në konferencën e sotme për shtyp ishte vetë trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, ai që lëvdoi Rrahmanin, duke e mbrojtur nga kritikat e shumta që u adresuan ndaj tij.
“Ne kemi liderët si Rrahmani, Di Lorenzo, Anguissa apo Osimhen. Paraqitjen e Rrahmanit e kam parë të mirë në ndeshjen kundër Interit. Ka ndërtuar shumë aksione. Së bashku me Kim kanë një kundër një sulmuesit e ‘zikaltërve’. Fatkeqësisht ishte i pafat në golin e Dzekos”, tha ai.

Spalletti tha se është i lumtur për rikthimin e mbrojtësit 28-vjeç kosovar: “Jam i lumtur për rikthimin e tij. Nuk duhet të pësojë shumë ngarkesë.”
Trajneri i skuadrës lidere në Serie A paralajmëroi se do të bëjë paksa ndryshime në formacion në ndeshjen e nesërme që do ta zhvillojë kundër Sampdorias në Liguria.
Nuk duhet nëse Rrahmani do të pushohet. Mediet janë të ndara në këtë aspekt, edhe pse shumica e japin sërish startues mbrojtësin “dardan”.
Për “Gazzetta Dello Sport” Rrahmani prin në balotazhin mes tij dhe Juan Jesus, me 60% më shumë gjasa për të startuar nga minuta e parë, për dallim nga 40% sa ka mbrojtësi brazilian.

Përfaqësuesi kosovar në sezonin e sivjetëm numëron 9 paraqitje në Serie A. Së bashku me Kim kanë qenë një binom që i ka ofruar shumë siguri ekipit jugor italian.
