“Sky” në Itali: Befasuese si Muriqi shënon gola kaq të bukur në Spanjë dhe me Kosovën, ndërsa me Lazion nuk arrinte
Vedat Muriqi po kalon në një formë të shkëlqyer muajve të fundit. Kjo ka rënë në sy edhe në mediet italiane, të cilat tani kanë filluar të ngrisin pyetje se çka nuk shkoi te aventura e tij me Lazion.
Histori e freskët është ajo e Vedat Muriqin në Serie A me fanellën e Lazios. Në dy vite sa ishte nën kontratë me Lazion, ku për një vit e gjysmë ishte pjesë e skuadrës italiane në formë direkte, ndërsa për gjashtë muaj si i huazuar te Mallorca – sulmuesi “dardan” nuk ia doli që të ambientohej qoftë me skemat e Simone Inzaghit, ashtu edhe me ato të Maurizio Sarrit.
Mirëpo forma që po kalon Muriqi nga janari, kur fillimisht për gjashtë muajt e parë të vitit ishte i huazuar te Mallorca e më pas klubi spanjoll siguroi kartonin e tij gjatë verës – ka bërë që mediet më të mëdha italiane ta pranojnë se, megjithatë, përkundër kritikave dhe kryqëzimeve të mëdha me të cilat e kishin shigjetuar – ai posedon cilësi dhe nuhatje për gol.
Dje, gjatë emisionit të mbrëmjes në “Sky Sport Italia”, gazetari italian me përvojë, Davide Pozzi, shprehi mendimin e tij rreth formës së Muriqit.
“Po shënon gola në Spanjë dhe po shënon goxha gola me Kombëtaren e Kosovës. Aq më shumë, duke shënuar edhe gola të bukura. Ato gola nuk arrinte t’i shënonte në Serie A. Ky aspekt është goxha befasues”, theksoi ai.

Vedat Muriqi me fanellën e Kosovës ka një mesatare të golave shumë të mirë, ku ka shënuar 20 gola në 41 paraqitje. Po flasim për një mesatare thuajse empirike prej një goli në dy ndeshje.
E njëjta mesatare që e personifikon sulmuesin prizrenas edhe në këtë fillim të sezonit në La Liga, ku ka shënuar 3 gola në 6 paraqitje. Këto statistika flasin qartë dhe tashmë edhe në Itali kanë filluar t’i parashtrojnë disa pyetje vetes, se çka ndodhi me Muriqin gjersa ai ishte pjesë e Serie A.
“Besoj që vlen arsyetimi i atillë, ku ka disa lojtarë që në Serie A nuk e kanë gjetur habitatin e vet më të mirë. Ta zëmë, Skov Olsen që bëri paraqitje të jashtëzakonshme me Danimarkën. Muriqi është prej atyre qendërsulmuesve që në Itali ka hasur në vështirësi gjigante, por në vendet tjera të jashtme e gjen golin vazhdimisht”, nënvizoi Davide Polizzi në emisionin e “Sky Sport Italia”.
Vedat Muriqi shënoi tre gola në dy ndeshjet e fundit që i luajti Kosova në Ligën e Kombeve, duke qenë protagonisti kryesor që ndihmoi kombëtaren “dardane” që ta ruante pozitën e dytë në grup dhe konfirmimin në Ligën C edhe për edicionin e radhës në Ligën e Kombeve.

