Skandal në Greqi: Tifozët grekë dhe serbë në kor thërrasin thirrje shoviniste kundër Kosovës (VIDEO) - NACIONALE

Skandal në Greqi: Tifozët grekë dhe serbë në kor thërrasin thirrje shoviniste kundër Kosovës (VIDEO)

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në qytetin e Pireut të Greqisë ka shpërthyer shovinizmi. Në ndeshjen basketbollistike të Euroligës mes Olympiacosit dhe Crvena Zvezdës, tifozët grekë dhe serbë kënduan në kor me thirrje shoviniste kundër Kosovës.

Një ndeshje tjetër e një skuadre serbe në arenë ndërkombëtare, por jo edhe një realitet i ri. Mbi sportin dhe gjithçka tjetër, në Serbi nuk po rreshtin së përqafuari doktrinën ultranacionaliste dhe atë shoviniste.

Për fat të keq, në mbështetje të tyre kësaj radhe dolën edhe tifozët grekë të Olympiacosit. Që të dyjat kënduan së bashku në kor “Kosova është Serbi” për minuta të tërë. Kjo ndeshje u zhvillua mbrëmë, por këto detaje qarkulluan gjatë ditës së sotme në mediet serbe.

Në ndeshjen që u zhvillua në Greqi ishte i pranishëm edhe flamuri famëkeq me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, që e pamë të shfaqur edhe në bankinën e Serbisë në Kupën e Botës, në ndeshjen e parë në fazën e grupeve që e luajti ajo kundër Brazilit, e që e humbi me rezultat 2:0.

Sipas medieve serbe, të cilat vazhdojnë ta amnistojnë dhe t’i duartrokasin kësaj qasje që thyen të gjitha parimet sportive, thirrjet e tilla u bënë me shkas për të përçuar, siç thonë ata, “mesazhe solidarizimi me vëllezërit tanë në jug (duke aluduar në veriun e Kosovës)”.

Të dy tifozëritë kanë raporte të afërta mes vete dhe njihet që kultivojnë huliganizëm prej shumë kohësh, duke mos qenë fare shembujt më të mirë për t'u ndjekur.

FIBA deri tani nuk ka qenë nuk ka treguar se ka gatishmëri për të dënuar në formë meritore qoftë klubet apo federatën serbe – për thirrjet e këtilla, që veçanërisht tifozët e Crvena Zvezdës i kanë thuajse të përjavshme, duke e kontaminuar me to çdo impiant vendor apo ndërkombëtar në ndeshjet në të cilat paraqitet skuadra beogradase.

Ndërkaq më konkrete dhe më e ashpër është shfaqur FIFA. Për flamurin ku shihej harta e Kosovës e mbështjellë me ngjyrat dhe stemën e flamurit serb, ajo u dënua me 20 mijë franga.

FIFA qartësisht kishte qortuar Serbinë për mesazhe të tilla që nuk kanë asnjë vend në betejat sportive. Një interferim i tillë i thirrjeve politike, shoviniste dhe nacionaliste është dënuar ashpër edhe nga mediet ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme