Shtypi italian: Enis Bardhi fiku Jorginhon, Visar Musliu bëri të dukej keq Immobilen
Maqedonia e Veriut mbrëmë shënoi një fitore epokale, duke mposhtur Italinë me një gol të Trajkovskit në minutën e dytë të kohës shtesë. Deliri që përjetuan maqedonasit në Renzo Barbera pa sërish si protagonistë Visar Musliun dhe Enis Bardhin. Pak me nevrikosje, e pak me përulje, mediat dhe analistët italianë glorifikuan paraqitjet e dy lojtarëve të sipërpërmendur.
Sot, në Itali po vërehet një zymtësi e thellë teksa e ka kapluar çdo banor të saj. Goli i Trajkovskit u shoqërua edhe me tituj kreativë, si "Traj-edy", duke bërë lojëra fjalësh. Pavarësisht zemërimit të thellë, nuk munguan edhe fjalët komplimentuese për ekipin kundërshtar. Këtu, përveç golashënuesit (që njëherit është ish-lojtar i Palermos dhe shënoi në stadiumin ku kishte luajtur për disa kohë), vëmendje morën dy futbollistë që treguan personalitet dhe lidership të pashoq në fushë. Fjala vjen, Visar Musliu dhe Enis Bardhi.
Po e fillojmë me këtë të dytin!
Maqedonia e Veriut për 20 minuta pati vështirësi të dalë edhe nga gjysmëfusha e saj. E zhytur në thellësi të 16 metërshit të saj, duke u mbrojtur me të gjitha forcat, arritën të rezistojnë - sa për shpirtin luftarak të tyre, aq për demeritë të sulmit fare lehtë të parashikueshëm të italianëve. Megjithatë, sapo përfundoi pjesa e parë, televizioni publik italian që kishte të drejtat e transmetimit në territorin e saj, bëri një analizë të shkurtër. Lele Adani, ish-lojtari i Inter dhe kombëtares italiane, njëherit analisti i futbollit më i pranishëm në mediat e mëdha italiane, bëri një koment të menjëhershëm për Enis Bardhin. Fjalët e tij ishin këto: "Enis Bardhi e fiku Jorginhon. E vendosi në hije!
Duket që ka hyrë me mision të veçantë ta neutralizojë mesfushorin tonë".

Në pjesë të dytë vetëm sa e rriti përformancën e tij Enis Bardhi, qoftë edhe me driblime, ku e bëri ta vënte në vështirësi edhe Nicolò Barellan në një moment, duke treguar freski shumëfish më të madhe në fushë, me ç'rast nuk munguan driblimet. Kjo bëri që fjalët e mëdha për të nga italianët të mos rreshtnin së thëni.

Komentatorët e RAI e veçonin Bardhin edhe si lojtari me tiparet më të larta teknike te kombëtarja e tij. Ai u komentua gjërë e gjatë kur vihej theksi te Maqedonia e Veriut. Emëruesi i përbashkët i të gjithëve në Itali ishte "fikja e Jorginhos".
Jo më pak i lavdëruar ishte edhe Visar Musliu. Qendërmbrojtësi i Ingolstadt u shndërrua në mur dhe e bëri të dukej inferior Ciro Immobilen, i cili edhe ashtu vuante nga kritikat e mëdha nga opinioni i brendshëm për paraqitjet e dobëta me kombëtaren axurre. Zhagitje duke llogaritur mirë kohën, elegant në ndërhyrje pa rrezikuar asgjë, gjithmonë një hap para Immobiles në markimin e tij, lider i mbrojtjes së tij, asnjë gabim trashanik, gjakftohtë, inteligjent në lexim të lëvizjeve të Berardit kur ky i fundit futej afër 16-shit duke u munduar të koordinohej me të majtën e tij. Ajo e Musliut ishte paraqitje për ta vendosur në kornizë me pak fjalë, aq sa sot e bëri një komb të tërë italian të flasë se si kjo paraqitje e Ciro Immobiles (e vlerësuar me notën 4 nga të gjitha mediat e mëdha italiane) do të ishte ajo e fundit. Nëse ndodh një gjë e tillë, ekziston edhe një fajtor: Visar Musliu.

Teksa merrje në duar numrin e sotëm të Gazzetta Dello Sport, hasje në një vlerësim të lartë për Visar Musliun, i shoqëruar me fotografinë e tij. Italianët janë më konservatorë në vlerësimet me nota që bëjnë. Nota 7 është vështirë e arrijtshme dhe këtë ia dhanë qendërmbrojtësit Musliu.
Argumentimi i kësaj note nga gazetarët e të përditshmes më të madhe sportive italiane, ishte ky: "Në duele me kokë fitoi të gjitha duelet. Ai, njësoj sikurse e gjithë mbrojtja maqedonase, u transforumuan në një mur në goditjet që patën lojtarët italianë. Bëri të mundur që të ishin të panumërta bllokadat dhe devijimet ndaj gjuajtjeve që ishin në drejtim të portës së tyre".

Ëndrra maqedonase vazhdon rrugëtimin e saj. Në letër prapë kanë një mision të vështirë, por pas rezultateve të korrura ndaj Gjermanisë dhe Italisë, e pamundura për maqedonasit si koncept nuk ekziston. Dorëzimi edhe më hiç!
Kështu, Visar Musliu dhe Enis Bardhi do të mundohen që prapë të lënë gjurmë në stadiumin Dragao të Portugalisë, të martën, me fillim në ora 20:45, në finalen e madhe për ta synuar një vend për në Botërorin e sivjem që do të mbahet në Katar gjatë dimrit.