Shtypi francez raporton se Benzema do të mungojë në Botëror
Në Francë tema e ditës është lëndimi që pësoi në kofshë Karim Benzema. Pasi fillimisht u tha se ai rrezikon ta humbë Botërorin, tashmë “Le Parisien” shkruan se një gjë e tillë është faktike.
Një lajm vërtet i rëndë për Francën është ai që po raportohet gjatë këtyre minutave. Pra, sipas “Le Parisien” sulmuesi i Real Madridit nuk do të jetë pjesë e Botërorit.
Lëndimi që pësoi në stërvitje po del të jetë fatal. Fillimisht ishte “L’Equipe” që raportoi se ai nuk do t’ia dalë për t’u paraqitur të martën kundër Australisë në ndeshjen hapëse të Botërorit.
Megjithatë, në bazë të burimeve të “Le Parisien”, goditja e pësuar në kofshën e majtë po del të jetë më e rëndë seç dukej fillimisht.
Ai ka bërë një rezonancë magnetike në spitalit e Aspetar, pasi ka dalë më herët nga stërvitja që ka zhvilluar kombëtarja franceze në Doha.

Në rast se konfirmohet që Benzema nuk do të mund të paraqitet në Botëror, atëherë kampionia në fuqi e botës, Franca, do të mund ta ftojë një lojtar të ri deri të gjatë ditës së hënë (një ditë para sfidës hapëse në Botëror kundër Australisë).
Problemet e Francës me lëndimet para Botërorit
Benzema mund të jetë një lojtar i radhës që rrezikon t’i bashkohet një liste të gjatë të emrave të lënduar nga Kombëtarja e Francës.
Gjatë ditëve të fundit ishim dëshmitarë se si u lëndua Nkunku, gjithmonë në një situatë të ngjashme. Pra, gjatë seancës stërvitore.

Franca ka hasur në probleme të shumta para këtij Botërori që kanë të bëjnë me lëndimet. Pogba, Kantë, Kimpembe dhe Nkunku kanë qenë lojtarët që kanë ndërlikuar tej mase planet e përzgjedhësit francez.
Nkunku ka qenë prej lojtarëve më të dalluar në Bundesligë, ndërsa emrat tjerë nuk kanë nevojë për shumë shpjegime.
Në rastin e Karim Benzema, ai ka shënuar 37 gola në 97 paraqitje me Francën. Debutimin e parë e ka bërë me Domenech, më 28 mars të vitit 2007 kundër Austrisë, kur ishte vetëm 19-vjeç.
Sulmuesi 35-vjeçar në atë ndeshje realizonte golin e fitores. Ai në Botërorin e 2010 u la jashtë listës, përkundër një numri të madh të golave të shënuar.
Ndërsa në edicionin pasardhës, atë që u zhvillua në Brazil, ai ishte pjesë e Botërorit, gjithmonë nën drejtimin e Deschams.

Problemet me drejtësinë në vijim ndikuan që ai të përjashtohej nga Kombëtarja e Francës për disa vite. Pas më shumë se gjashtë (6) vjetëve, mori ftesën më 18 maj 2021, për të qenë pjesë e Evropianit.
Në rast se konfirmohet se lëndimi i Benzemas është i një shkalle të rëndë ku nuk do të mund të rikuperohet në kohë të shpejtë, ai do të rrezikonte që të mos mund të paraqitej më në ndonjë Botëror tjetër, duke marrë parasysh moshën që ka.

