Benzema: Do kisha dashur të luaja me Ronaldinhon - NACIONALE

Benzema: Do kisha dashur të luaja me Ronaldinhon

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Karim Benzema ka dhënë një intervistë vërtet të gjatë për një influencer, Zack Nani, në platformën “Twitch”. Sulmuesi francez ka shpalosur edhe një peng i cili i ka mbetur: të luajë me Ronaldinhon.

Dy herë fituesi i Topit të Artë, Ronaldinho, veçohet si njëri prej lojtarëve që ka arritur të transmetojë pak dromca arti në mënyrën dhe stilin e futbollit që ka aplikuar.

Ndër të rrallët lojtarë që ka arritur të bëjë të mundur që të mos kishte tifozë të futbollit, pavarësisht se cilit ekip i takonin, që të mos dashuroheshin se si interpretonte ai futbollin.

Karim Benzema nuk e fsheh fare dëshirën që i ka mbetur peng në lidhje me ish-fantazistin brazilian. Në pyetjen që iu shtrua në “Twitch” se me cilin lojtar do dëshironte të luante nga ata që kanë shkruar historinë, ai ishte i qartë në përgjigjen e tij.

“Një lojtar që do kisha dashur të luaja, por që nuk kam luajtur – pa përmendur Zidanen dhe Ronaldon (fenomenin)? Mirë, përveç Zizou dhe Ronaldos, do thoja Ronaldinho” – u përgjigj ai.

Përgjigjet e Benzemas në 360 shkallë

Shumë pyetje iu parashtruan Benzemas, për shumë tema të ndryshme. Njëra prej përgjigjeve më interesante të fituesit të Topit të Artë në edicionin e fundit, ishte ajo rreth sezonit 2011/2012.

“Për mua në sezonin 2011/2012 njëmend Real Madridi kishte skuadrën më të mirë që kishte pasur ndonjëherë. Edhe ata që hynin në lojë si zëvendësues shënonin po aq sa titullarët. Të gjithë kanë luajtur. Ka qenë e jashtëzakonshme. Ishte skuadër e mrekullueshme. I kishim të gjitha. Për fatin e keq, nuk e kemi fituar Ligën e Kampionëve”, tha ai.

Sa i përket Ligës së Kampionëve, ai ishte shumë i drejtpërdrejtë në pyetjen se cili edicion është ai që e ka më në qejf.

“Finalja ime e preferuar në Ligën e Kampionëve është ajo e fundit ndaj Liverpoolit”, nënvizoi ai.

Kalimin te Real Madridi e ka vlerësuar si një realizim të një ëndrrëje të kahmotshme: “Duke nënshkruar me Real Madridin kam realizuar një ëndërr.”

Karim Benzema po bënte dallimin te Lyoni para se të transferohej te klubi madrilen. Ai ka folur rreth ambientimit në ekip dhe në vendin spanjoll. Sulmuesi francez ka treguar se në çfarë vështirësi të mëdha ka hasur.

“Ardhja ime në Madrid ka qenë e ndërlikuar. Kam ardhur në Madrid i vetëm. Nuk flisja gjuhën spanjolle, por kisha vetëm dy opsione: ose të luftoja, ose të kthehesha në shtëpi. E zgjodha opsionin e parë”, saktësoi ai.

Sulmuesi 35-vjeçar u pyet edhe rreth trinomit të famshëm sulmues që dikur e formonte me Ronaldon dhe Bale, me të cilët kishin fituar shumë trofe.

“As që e di nëse në stërvitje kemi luajtur si treshe sulmuese me Bale dhe Ronaldo, sepse kur stërviteshim gjithmonë dhe vazhdimisht ishim në lëvizje”, tha ai.

Shumë veta kanë folur rreth dallimeve mes të luajturit në kampionat dhe Ligës së Kampionëve. Një opinion të tij e ka edhe Benzema rreth kësaj çështje.

“La Liga është e komplikuar. Ka shumë ndeshje. Është rrugëtim i gjatë. Në Ligën e Kampionëve varet se me cilën skuadër të bie të luash”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme