Franca në alarm, Benzema rrezikon të mos ia dalë për t’u paraqitur në Botëror
Karim Benzema nuk do të jetë pjesë e Francës për ndeshjen kundër Australisë, që do të zhvillohet të martën (22 nëntor) kundër Australisë. Lëndimi në kofshë që pësoi në stërvitje rrezikon që të bëjë që ai të mos paraqitet në Botëror.
Një lajm që alarmon Francën është ai se Karim Benzema rrezikon të mos ia dalë për t’u rikuperuar nga lëndimi i fundit që pësoi në kofshë gjatë stërvitjes.
Sipas burimeve të përditshmes franceze “L’Equipe”, ai nuk ia doli që ta mbyllë seancën stërvitore që ekipi kombëtar francez zhvilloi këtë mbrëmje.
Ai do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike gjatë kësaj mbrëmje për ta kuptuar shkallën e lëndimit. Një goditje e rëndë për përzgjedhësin Deschamps, i cili tani duhet t’i shqyrtojë të gjitha skenarët

Në rast se konfirmohet që Benzema nuk do të mund të paraqitet në Botëror, atëherë kampionia në fuqi e botës, Franca, do të mund ta ftojë një lojtar të ri deri të gjatë ditës së hënë (një ditë para sfidës hapëse në Botëror kundër Australisë).
Problemet e Francës me lëndimet para Botërorit
Benzema mund të jetë një lojtar i radhës që rrezikon t’i bashkohet një liste të gjatë të emrave të lënduar nga Kombëtarja e Francës.
Gjatë ditëve të fundit ishim dëshmitarë se si u lëndua Nkunku, gjithmonë në një situatë të ngjashme. Pra, gjatë seancës stërvitore.

Franca ka hasur në probleme të shumta para këtij Botërori që kanë të bëjnë me lëndimet. Pogba, Kantë, Kimpembe dhe Nkunku kanë qenë lojtarët që kanë ndërlikuar tej mase planet e përzgjedhësit francez.
Nkunku ka qenë prej lojtarëve më të dalluar në Bundesligë, ndërsa emrat tjerë nuk kanë nevojë për shumë shpjegime.
Në rastin e Karim Benzema, ai ka shënuar 37 gola në 97 paraqitje me Francën. Debutimin e parë e ka bërë me Domenech, më 28 mars të vitit 2007 kundër Austrisë, kur ishte vetëm 19-vjeç.
Sulmuesi 35-vjeçar në atë ndeshje realizonte golin e fitores. Ai në Botërorin e 2010 u la jashtë listës, përkundër një numri të madh të golave të shënuar.
Ndërsa në edicionin pasardhës, atë që u zhvillua në Brazil, ai ishte pjesë e Botërorit, gjithmonë nën drejtimin e Deschams.

Problemet me drejtësinë në vijim ndikuan që ai të përjashtohej nga Kombëtarja e Francës për disa vite. Pas më shumë se gjashtë (6) vjetëve, mori ftesën më 18 maj 2021, për të qenë pjesë e Evropianit.
Në rast se konfirmohet se lëndimi i Benzemas është i një shkalle të rëndë ku nuk do të mund të rikuperohet në kohë të shpejtë, ai do të rrezikonte që të mos mund të paraqitej më në ndonjë Botëror tjetër, duke marrë parasysh moshën që ka.

