Shqipëria ndahet në paqe me Islandën, pa fitues edhe mes Kroacisë dhe Francës
Kombëtarja shqiptare nuk ka arritur të arkëtojë më shumë se një pikë në udhëtim te Islanda, derisa nuk ka pasur fitues as mes Kroacisë dhe Francës.
"Kuq e Zinjtë" zhvilluan lojë të bukur si mysafir i Islandës, por që rezultati në fund doli të jetë 1:1.
Zhvillohej minuta e 30-të e takimit, ku pas një super aksioni të shpejtë të Shqipërisë, Taulant Seferi përfitoi nga një top i kthyer dhe e dërgoi në rrjetë (30').
Pas golit të shënuar, Shqipëria kishte edhe disa mundësi tjera të mira, por u mungoi konkretizimi i aksioneve.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja e Islandës zhvilloi paraqitje më të mirë në fillim dhe arriti të barazojë rezultatin përmes Jon Dagur Thorsteinsson, që shënoi pas një gabimi katastrofal në mbrojtje.
Me nga një gol të shënuar, të dy skuadrat pastaj provuan të gjejnë fitoren, mirëpo që tërë aksionet dhe kundëraksionet rezultuan të pasuksesshme.
Kështu, Islanda mbetet lider në grupin 2 të ligës B me dy pikë të mbledhura, derisa Shqipëria qëndron në pozitën e tretë me tre sosh, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër, Franca gjithashtu është ndalur në barazim te Kroacia, edhe pse zhvilloi paraqitje më të mirë.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi ngase as Kroacia dhe as Franca nuk i finalizuan aksionet. Francezët dominuan në posedim, derisa kroatët gjithashtu provuan në kundërzbritje.
Adrien Rabiot kaloi Francën në epërsi pas një pasimi të shkëlqyer nga Wissam Ben Yedder dhe me një goditje të jashtëzakonshme e dërgoi topin në portën e Kroacisë (52').
Pas këtij goli, Kroacia nisi të sulmojë më shumë dhe kishte një mundësi të mirë përmes Luka Modric, por goditja e këtij të fundit u ndalua nga Maignan.
Golin e barazimit për Kroacinë e realizoi Andrej Kramaric, që realizoi nga pika e bardhë pas një faulli të shkaktuar brenda zonës (81').
Kështu, Franca renditët në pozitën e tretë në tabelë me një pikë, aq sa ka Kroacia në pozitën e fundit.