Shpresat e Kosovës për Euro 2024 mund të jetë shuar ende pa nisur mirë kualifikimet
Kur shorti për kualifikime për Kampionatin Evropian 2024 u hodh në tetorin e kaluar, të gjithë në Kosovë u ndanë të kënaqur dhe shpresat dhe pritjet për një pjesëmarrje historike ishin më të larta së kurrë.
Dhe më të drejtë, sepse nga të gjitha grupet e mundshme kualifikuese, Kosova nuk ka mundur të uronte për një grup më të lehtë se ky me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Andorrën dhe Bjellorusinë.
Por ato shpresa morën një goditje të rëndë dhe vështirë të riparueshme të martën në Prishtinë, kur Andorra – njëra prej ekipeve më të dobëta në botë – ia nxori Kosovës një barazim historik midis Fadil Vokrrit.
Ky ishte barazimi i dytë radhazi, pas atij me njërin prej dy rivalëve të drejtpërdrejt për vendin e dytë në Grupin I kualifikues Izraelin, për verdhekaltrit, që i lë ata në vendin e tretë me vetëm dy pikë.
Çfarë Kosova nuk arriti të bëjë, bëri rivalja e saj Rumania, duke u siguruar t’i mposhtë dy autsajderët e grupit, Andorrën dhe Bjellorusinë dhe ndan kreun me Zvicrën me pikë të plota pas ndeshjeve të para.
Çfarë nuk shkoi?
Trajneri i Kosovës Alain Giresse dështoi në taktikat dhe përzgjedhjen e lojtarëve në të dy ndeshjet, duke u detyruar të bëjë ndryshime të mëdha menjëherë gjatë pushimit mes pjesëve.
Kosova u mbizotërua nga Izraeli dhe ishte me fat që e nxori një pikë, e cila ishte e rëndësishme – duke e parë që luajti në shtëpinë e rivalit – deri në çastin kur e katandisi punën me autsajderen Andorrën.
Sikur me izraelitët, edhe me vizitorët nga Andorra Giresse e nisi ndeshjen me një 4-3-3 dhe në të dy ndeshjet kjo skemë ndryshoi shpejt pas pjesës së parë. Derisa ta ndryshosh skemën e lojës brenda ndeshjes është e natyrshme në futbollin modern, posaçërisht kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, trajneri francez nuk duket të ketë plan dhe ide të qarta se si dëshiron që ekipi i tij të luajë.
Ai e zëvendësoi Leart Paqaradën në të dy ndeshjet gjatë pushimit mes pjesëve, të cilin e ktheu në kombëtare, pas telasheve të kishte me ish-trajnerin Bernard Challandes, i cili nuk e cilësonte 28-vjeçarin si të denjë për të luajtur titullar për Kosovën.

Vendimet e Giresse për të mos thirrur mesfushorë të mirëfilltë qendrorë dhe qendërsulmues përveç Vedat Muriqit lanë shumë për të dëshiruar po ashtu, sepse ndër dobësitë më të mëdha të verdhekaltërve në këto ndeshje ishte pikërisht pozita e mesfushorit organizator.
Ai nuk e thirri Mirlind Dakun në formë dhe Alion Rrahmanin e Ballkanit e la në tribuna, pavarësisht se kundër Andorrës e ndryshoi skemën në 4-2-4, dhe kishte nevojë për një qendërsulmues tjetër për ta rreshtuar përkrah Muriqit. Në atë rol, ai e futi Milot Rashicën që nuk ishte produktiv duke luajtur jashtë pozitës natyrale.
Me pikët e humbura në dy ndeshjet e para dhe me atë që ka shfaqur trajneri 70-vjeçar deri tani, shpresat e Kosovës për të marrë pjesë në një Evropian për herë të parë në histori janë zbehur dukshëm.
Kosovën do ta presin ndeshje shumë më të vështira në vazhdim, si me Rumaninë e Zvicrën brenda dhe jashtë, si dhe me Izraelin.
Kosova i pati mundësitë e veta për ta mposhtur Andorrën dhe mbase me pak fat, ka mundur ta bënte, por fakti se një ekip kombëtar me lojtarë kryesisht amatorë e ndali suksesshëm, nuk jep shumë shpresa për rezultate të mira kundër kombëtareve të forta në grup.
