Shkëlqen Benzema, Real Madridi shënon fitore komode ndaj Almerias
Real Madridi ka shënuar fitore komode me rezultat 4:2 ndaj Almerias, pas një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme nga Karim Benzema, i cili shënoi het-trik në pjesën e parë.
Skuadra e Ancelottit u mposht katër ditë më parë thellësisht nga Girona, me të gjitha golat e shënuar nga i njëjti lojtar dhe fitorja sot ishte e domosdoshme për moralin e ekipit.
Mbretërit morën epërsinë shumë herët, me Benzeman që shënoi në minutën e pestë për 1:0, i asistuar nga Vinicius Junior.
35-vjeçari dyfishoi epërsinë vetëm 12 minuta më pas, saktësisht në minutën e 17-të, kur pranoi një top nga Rodrygo, për ta çuar topin në rrjetë pa problem për 2:0.
Het-trikun e tij Benzema e kompletoi në minutën e 42-të kur shënoi për 3:0 nga penalltia.
Krejt çfarë Almeria bëri në pjesën e parë ishte ta ngushtonte rezultatin në 3:1 me anë të Marques, pas një kundërsulmi në minutat shtesë.
Me të filluar pjesa e dytë, Rodrygo erdhi në shans dhe nuk gaboi, për ta çuar topin prapa krahëve të portierit për rezultatin 4:1.
Mysafirët shënuan edhe një gol, tani për rezultatin përfundimtar 4:2, ku Robertone gjeti rrjetën në minutën e 61-të.
Real Madridi vazhdon të mbetet në pozitën e dytë, tani me tetë pikë më pak se Barcelona që është liderë, por katalunasit kanë një ndeshje më pak, ndërsa Almeria me këtë humbje rrezikon shumë, pasi është shumë afër me skuadrat që janë në zonën e eliminimit nga La Liga.

