Shefi i Formula 1: Nuk presim që gratë të garojnë në F1 as në 5 vitet e ardhshme
Presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, thotë se nuk pret që një grua të garojë në nivelin më të lartë të këtij sporti në pesë vitet e ardhshme.
Domenicali nënvizoi se është shumë e nevojshme t’u ofrohet grave mundësi maksimale për të qenë pjesë e F1 dhe se ai është plotësisht i përkushtuar për këtë.

Pro ai shtoi: “Nëse flasim realisht, nëse nuk ndodh diçka e pamundur, nuk e shoh një vajzë duke vozitur në Formula 1 në pesë vitet e ardhshme”.
“Është goxha e pamundur”, këmbënguli ai.
Domenicali shtoi se Formula 1 është duke punuar për të parë se çfarë mund të bëjë për ta përmirësuar sistemin.
Vetëm dy gra, të dyja italiane, kanë startuar në një grand prix të Kampionatit Botëror të Formula 1.
Maria Teresa de Filippis garoi pesë herë në vitet 1950-ta dhe Lella Lompardi mori pjesë në 12 gara në mesin e viteve 1970-të.
Lombardi ishte garuesja e vetme që fitoi pikë – ajo e kishte fituar gjysmë pike për përfundimin e garës në vendin e gjashtë në Grand Prix të Spanjës më 1975.
Formula 1 është duke e promovuar një seri të quajtur “W” vetëm për gra duke i zhvilluar garat e saj në grand prix këtë sezon.
“Ne jemi shumë të lumtur me bashkëpunimin që kemi me Formula W”, nënvizoi Domenicali.

“Por ne besojmë se, për të qenë në gjendje për t’iu dhënë mundësi vajzave për të qenë në nivelin e njëjtë të garës me djemtë, ato duhet të jenë të moshës së njëjtë me djemtë kur fillojnë të garojnë në shteg në nivelin e Formula 3 dhe Formula 2”, theksoi ai.
Dy herë kampionia e Formula W, Jamie Chadwick synon të garojë në Formula 1, por ajo thotë se nuk është e sigurt nëse gratë do të jenë në gjendje ta përballojnë fizikisht garimin në një nivel kaq të lartë.